Militantët islamikë nga Libia vranë 21 roje kufitare egjiptiane

Persona të armatosur kanë vrarë 21 roje kufitare egjiptiane që kanë qenë të vendosur në kufi me Libinë.

Bota

20/07/2014 11:56

Zyrtarët e sigurisë kanë thënë se sulmuesit kanë qenë kontrabandistë.

Mirëpo, zëdhënësi i ushtrisë në faqen e tij në Facebook ka shkruar se “terroristët”, një term që autoritetet në Egjipt e përdorin për të përshkruar militantët islamikë, qëndrojnë prapa sulmit, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Ai ka thënë se fillimisht është sulmuar një objekt depoje e armatimit me një raketë, duke vrarë ushtarët dhe duke lënduar të tjerë.

Dy kontrabandistë janë vrarë gjatë përleshjes së armatosur me rojet e kufirit, raportojnë zyrtarët e sigurisë.

Presidenti egjiptian, Abdel Fattah al Sisi rregullisht ka shprehur shqetësimin rreth militantëve që kanë përfituar nga kaosi në Libi, nga ku edhe janë organizuar operacione përgjatë kufirit.