Milani ngjyroset ‘zikaltër’, Inter dominon dhe triumfon në derbi

Inter ka konfirmuar problemet e Milanit edhe për një sezon tjetër, duke dominuar dhe fituar derbin e sotëm.

Sport

21/09/2019 22:41

‘Zikaltërit’ triumfuan me rezultat 2-0, por lehtësisht mund të ishte më i lartë nëse do t’i konkretizonin rastet.

Pjesa e parë u karakterizua me dy gola të anuluar për secilën skuadër nga VAR-i, teksa Lukaku dhe Lautaro Martinez kishin raste të arta për ta kaluar në epërsi skuadrën e tyre.

Goli i parë erdhi me të filluar pjesa e dytë, kur Marcelo Brozovic (49’) realizoi për epërsinë fillestare të Interit.

Në vazhdim ‘Rossonerët’ u munduan të krijonin diçka, por loja pa koncept ‘flen’ ende në këtë skuadër – me trajnerin Giampaolo që startoi me vetëm një blerje të re të verës (Leao).

Goditja përfundimtare për Milanin erdhi 12 minuta para fundit, me Romelu Lukakun (78’) që vulosi rezultatin 2-0.

Pas katër ndeshjeve, skuadra e Antonio Contes ka pikë të plota në vendin e parë kurse Milan tubon vetëm 6 pikë. /Lajmi.net/