Milani dhe të huazuarit, nuk ka blerë asnjë në 10 vitet e fundit

Nëse je një futbollist i huazuar me të drejtë blerjeje te Milani, është mirë që të rrish në shtëpi me qira në Milano, pasi është gati e pamundur që e ardhmja të jetë sërish aty.

Sport

20/03/2019 22:02

Kjo pasi nga një vëzhgim i merkatos së kuqezinjve në 10 vitet e fundit, të gjithë futbollistët që janë marrë në huazim me të drejtë blerjeje, në fund të sezonit janë kthyer të gjithë mbrapsht.

Shumë prej tyre nuk kanë arritur të bindin drejtuesit për cilësitë që disponojnë, por ka pasur edhe raste kur kanë bërë paraqitje mbresëlënëse, por në fund nuk janë gjetur paratë për të përfunduar blerjen.

Megjithatë këtë sezon kuqezinjtë shpresojnë që Bakayoko të jetë njeriu që do të thyejë këtë trend 10-vjeçar, për t’u bërë përfundimisht futbollist i kuqezinjve, nga vera e ardhshme, kjo pasi blerja e tij e mundshme, varet nga kualifikimi në Ligën e Kampionëve.

Por cilët janë futbollistët që Milani ka pasur në huazim gjatë viteve të fundit dhe për të cilët nuk ka ushtruar të drejtën e blerjes:

Aquilani – Milani e mori në huazim në vitin 2011 nga Liverpooli dhe mesfushori bëri një sezon të mirë, duke koleksionuar 23 paraqitje dhe shënuar një gol, por në fund të sezonit kuqezinjtë vendosën ta kthejnë mbrapsht.

Armero – Duhet të zgjidhte problemet në krahun e majtë të mbrojtjes gjatë sezonit 2014-2015, por regjistroi vetëm 8 paraqitje dhe më pas u rikthye sërish te Udinese.

Balotelli – Herën e parë erdhi si blerje përfundimtare në 2013-ën, por më pas u rikthye si i huazuar nga Liverpooli në 2015-ën. Aventura e dytë nuk shkoi si e para dhe sulmuesi u rikthye sërish te The Reds.

Beckham – Erdhi te kuqezinjtë në fillim të vitit 2009, i huazuar nga Los Angeles Galaxy dhe në 18 paraqitje, shënoi edhe 3 gola, duke bindur, por më pas u rikthye sërish në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Bocchetti – Kaloi vetëm pak muaj te Milani, pasi erdhi në janar të 2015-ës dhe qëndroi deri në fund të sezonit, për t’u rikthyer më pas te Spartaku i Moskës, pa lënë gjurmë te kuqezinjtë.

Bojan – Ishte në pronësi të Barcelonës në vitin 2012, kur iu bashkua Milanit, por kaloi një sezon me probleme fizike, që u mbyll me mungesën e blerjes përfundimtare.

Destro – Dukej një transferim fondamental për Milanin. Galliani shkoi te Roma në janar të 2015-ës dhe ofroi 500 mijë euro për huazim 6-mujor, me të drejtën e blerjes për 16 milionë euro në fund të sezonit, por më pas vendosi ta rikthejë sulmuesin në kryeqytet.

Dedulofeu – Iu bashkua Milanit në janar të 2017-ës, i huazuar nga Evertoni dhe në 17 takime me kuqezinjtë, shënoi 4 gola, duke lënë mbresa. Por në fund të sezonit Barcelona ushtroi të drejtën e riblerjes nga klubi anglez, duke i hequr mundësinë Milanit ta mbajë në skuadër.

Matias Fernandez – Ishte i besuari i Montellës te Fiorentina dhe erdhi bashkë me teknikun te Milani, në verë të vitit 2016, por u rikthye sërish në Firence, pas një sezoni të kushtëzuar nga probleme të ndryshme fizike.

Felippe Mattioni – Një huazim i çuditshëm, pasi u përfshi nga Railoa në paketën e transferimit të Ibrahimoviçit te Milani, por ia doli të luajë vetëm një ndeshje, për t’u rikthyer më pas te Gremio, ku vijoi një karrierë thuajse anonime.

Higuain – Një operacion kompleks, i vitit të kaluar, me futbollistin që Milani e mori për t’i besuar dërgimin e topit në rrjetë, por pas disa problemeve në javët e fundit, iu hap rruga largimit të tij drejt Chelseat, për t’i bërë vend Piatek.

Maxi Lopez – U mor në huazim në janar të 2012-ës, për shumën e 1.8 milionë eurove dhe të drejtën e blerjes për 8 të tjera, por edhe këtë herë kuqezinjtë vendosët të kthejnë mbrapsht sulmuesin.

Mancini – Pas një sezoni e gjysmë pa shumë lavdi te Interi, huazohet te kuqezinjtë në janar të 2010-ës dhe deri në fund të sezonit luajti 7 ndeshje, por nuk shënoi asnjë gol, ndërsa më pas u rikthye në bazë.

Ocampos – Në janar të 2017-ës erdhi nga Genoa, që edhe vetë e kishte marrë në huazim me të drejtë blerjeje nga Marseille, për shumën e 8 milionë eurove. Luajti 12 ndeshje me Milanin dhe nuk shënoi asnjë gol, ndërsa në fund të sezonit u rikthye në Francë.

Pasalic – Një sezon i pranueshëm 2016-2017, por që sërish nuk arriti të bindë drejtuesit e Milanit, ta blejnë përfundimisht nga Chelsea. Një mesfushor i mirë, që po e tregon veten edhe tani te Atalanta.

Senderos – Erdhi me shumë bujë në verën e 2008-ës, por duke kaluar nga një dëmtim në tjetrin, arriti të regjistrojë 14 prezenca me Milanin, që gjithsesi nuk bindën kuqezinjtë ta blinin dhe u detyrua të rikthehet më pas te Arsenali.

Schevchenko – Një rikthim romantik në verën e 2008-ës, por ndonëse luajti 18 ndeshje me kuqezinjtë, nuk shënoi asnjë gol, shenjë kjo që tregonte se karriera e tij ishte drejt fundit.

Silvestre – Ishte i Interit, por thoshin që bënte tifo për Milanin. Në 2013-ën iu bashkua kuqezinjve në huazim të thjeshtë, kundrejt shumës prej 1.5 milionë eurosh, të cilat shkuan dëm, pasi futbollisti luajti vetëm 4 ndeshje.

Taarabt – Ka dhënë gjithçka në paraqitjet e para, për të treguar se di të bëjë gjithçka. Luajti gjysmë sezoni i huazuar nga QPR-ja, por pas paraqitjeve bindëse të fillimit, pastaj ra ndjeshëm, duke u kthyer andej nga erdhi.

Van Ginkel – Iu bashkua Milanit në vitin 2014 dhe shënoi një gol, duke dhuruar disa paraqitje interesante, por në fund kuqezinjtë vendosën të mos e blejnë nga Chelsea./SS/