Milan me vështirësi merr tre pikë te Verona, Piatek kthehet te goli

Milan ka vazhduar me lojë aspak bindëse, pavarësisht se arriti të merrte tre pikë në udhëtim te Hellas Verona.

Sport

15/09/2019 22:39

‘Rossonerët’ fituan me rezultat minimal, me ekipin vendas në krye me Rrahmanin dhe Kumbullën në mbrojtje që i rezistuan ekipit të Giampolos me një lojtar më pak.

Ndeshja u vendos nga një penallti e dhënë me ndihmën e VAR-it, e cila u shndërrua në gol nga Krzysztof Piatek (68’) e që njëkohësisht ishte goli i parë i polakut këtë edicion në Serie A.

Piatek festoi duke mbajtur gishtin në hundë, duke i heshtur kritikët e tij.

Gjithsesi, vendasit ishin me një lojtar më pak që nga minuta e 21’ kur Stepinski u ndëshkua me të kuq pas një ndërhyrje të ashpër ndaj Musacchios por kjo nuk i lehtësoi aspak punën mysafirëve që fituan në saje të një 11-metërshi me VAR, ndërsa Calabria në minutat e fundit të ndeshjes u përjashtua nga loja pas një ndërhyrje në lojtarin e Hellas Veronas.

Pas tre ndeshjeve të para, Milan tubon 6 pikë kurse Verona 3 sosh në pozitat 6 përkatësisht 11. /Lajmi.net/