Miku i Limajt punësohet pa konkurs, në gjimnazin e Malishevës

Komuna e Malishevës udhëhiqet nga Nisma për Kosovën, parti e drejtuar nga Fatmir Limaj. Hafir Xhyliqi punën e ka nisur më 1 shkurt, ndërkohë që për vendin e tij nuk ka pasur ndonjë konkurs.

Lajme

05/02/2016 11:21

Hafir Xhyliqi është punësuar si psikolog në Gjimnazin “Hamdi Berisha” në Malishevë. PDK-ja opozitare thotë se përveç që u punësua pa konkurs, miku i Fatmir Limajt nuk është i kualifikuar për këtë profesion. Pushteti thotë se shkolla kishte nevojë për një psikolog, raporton kallxo.com, transmeton lajmi.net.

Ndërsa, në Komunë e pranojnë se i punësuari është miku i Fatmir Limajt, porse ai nuk është pranuar për t’i plotësuar kërkesat e ndonjë personi por për shkak se Gjimnazi “Hamdi Berisha” ka pasur nevojë për një psikolog.

Hafir Xhyliqi punën e ka nisur më 1 shkurt, ndërkohë që për vendin e tij nuk ka pasur ndonjë konkurs.

Bekim Hoti, asamblist nga radhët e PDK-së, tha se miku i Fatmir Limajt është punësuar pa konkurs dhe vetëm meqë është miku i tij.

Hafir Xhyliqi nuk ka pranuar të flasë në lidhje me këtë çështje, pasi tha se   për gjithçka duhet të flasë Drejtoria e Arsimit.

Kusre në Drejtorinë e Arsimit në Malishevë, Blerim Thaçi,  e pranoi se i punësuari është mik i Fatmir Limajt, por tha se kjo,  nuk është arsyeja e pranimit.

“Gjimnazi ‘Hamdi Berisha ka pasur nevojë për një psikolog dhe ky rastisi të jetë miku i kryetarit të Nismës”, ka theksuar Thaçi, raporton kallxo.com.

Në këtë shkollë janë edhe 4 profesorë me profesion psikolog, por drejtori i Arsimit tha që të njëjtit nuk kanë pranuar që ta ushtrojnë këtë pozitë për tre muaj.

Komuna e Malishevës udhëhiqet nga Nisma për Kosovën, parti e drejtuar nga Fatmir Limaj./lajmi.net