Mikrofoni ndezur, Bideni dëgjohet duke fyer rëndë një gazetar

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është përfshirë në një incident, pasi u dëgjua duke e fyer rëndë gazetarin e mediumit me qasje kritike ndaj tij, “Fox News”, Peter Doocy. Presidenti e quajti atë “i biri budalla i kur**s”.

Bota

25/01/2022 08:23

“A mendoni se inflacioni është përgjegjësi politike në zgjedhjet e mesit të mandatit”, e pyeti gazetari presidentin amerikan, përderisa gazetarët po largoheshin nga salla në fund të një organizimi të Shtëpisë së Bardhë të hënën.

Bideni dëgjohet duke iu përgjigjur me zë të ulët, si duket duke menduar se mikrofonin e ka të ndalur: “Jo, është një aset i madh – më shumë inflacion. Çfarë biri i kur**s.”

Presidenti e kishte para vetes mikrofonin, por dukej se ai po fliste me veten ose mund të ketë menduar se mikrofoni ishte i ndalur, shkruan The Guardian.

Shtëpia e Bardhë këtë muaj ka thënë se inflacioni do të jetë vetëm një problem i përkohshëm, por disa demokratë janë shprehur të shqetësuar për pasojat më të gjata të mundshme politike.