Mijëra patentë-shoferë të konfiskuar për nëntë muaj në Kosovë, ekspertët e vlerësojnë tejet shqetësuese

5 mijë e 556 patentë-shoferë janë konfiskuar nga Policia e Kosovës gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti.

Lajme

29/11/2021 20:25

Kështu u bë e ditur në një përgjigje për Klankosova.tv nga ky institucion.

“5556 shoferëve, iu është ndaluar drejtimi i mjetit me veprim motorik”.

Këtu nuk mbaron e gjithë puna me shkelësit e rregullave të trafikut.

Organet e rendit një numër të madh të shoferëve i kanë ndëshkuar me pikë negative.

Janë gjithsejt 13 mijë e 532, drejtues të mjeteve motorike që janë dënuar me heqje të pikëve.

Eksperti i komunikacionit Bekim Ahmeti, tha për Klankosova.tv mbetet të punohet akoma që secili kandidat që i nënshtrohet provimeve për leje të vozitjes ta marrë me meritë.

“Problematika ende qëndron te marrja e patentë-shoferit edhe pse janë marrë masa që leja për qarkullim të kalohet me meritë kemi akoma shumë për të bërë në lidhje me këtë”.

Ahmeti tha se këto masa të ndërmarra nga ana e policisë i sheh në favor të qytetarëve dhe shërbejnë për vetëdijësimin e shkelësve të ligjit.

“Po, jam pro gjobitjeve nga ana e policisë. Ne po tentojmë të krijojmë standarde evropiane. Masat e marra nga ana e policisë janë në te mirën e qytetarit e në vetëdijësimin e shkelësve të ligjit”.

Eksperti thotë se çdo herë në komunikacion njerëzit kanë qenë të rrezikuar.

“Po, gjithmonë kemi qenë të rrezikuar në komunikacion, do të jemi edhe më të rrezikuar. Mirëpo me masa preventive do t’ia dalim”.

E këto shifra alarmante po i konsideron sociologja Flaka Ymeri.

Ymeri tha për Klankosova.tv se aksidentet e sidomos ato me fatalitet mund të shkaktojnë trauma të mëdha tek njerëzit.

“Përveçse është një thyerje e rregullores së komunikacionit, në aspektin social është shumë shqetësuese duke parë se çfarë traumash mund të shkaktojnë aksidentet e sidomos ato me fatalitet, që po duket se janë në rritje. Duhet të ndërmerren kontrolle më të mëdha për ta mbikqyrur komunikacionin dhe për t’i parandaluar aksidentet”.

Ajo tha se njeriu është i prirë provojë gjëra të reja të shtyrë nga adrenalina.

“Njeriu është gjithmonë i prirë që të provojë gjëra të reja e sidomos nga disa persona që duan të provojnë adrenalina të ndryshme, e njëra nga to është edhe thyerja e rregullave në komunikacion siç janë: shpejtësia, thyerja e rregullave në semafor, gjë që njerëzit e bëjnë nga adrenalina. Nëse pyetet ky target grup përgjigja do të ishte: “Vetëm e provova” apo ” Isha me nxitim”.

Sociologja Flaka Ymeri, thekson se njerëzit po të mendonin se cilat do të ishin pasojat që do të mund të shkaktoheshin për vetën dhe të tjerët ata nuk do t’i shkelnin rregullat e trafikut.