Migrimi ilegal – eksod i mjerueshëm

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) ka deklaruar se migrimi masiv i popullatës së Kosovës mund të quhet një eksod i mjerueshëm me të cilin është duke u sfiduar Kosova.

Lajme

04/02/2015 08:08

Gërxhaliu në një intervistë për “Epokën e re”,  ka thënë se nga krijimi i kësaj qeveria kanë filluar greva ditore të shumta. Kur këtyre i shtohet fakti i një tentative të paskrupullt për politizim të proceseve, çfarëdo qofshin ato në Kosovë vërtet situata bëhet edhe më dramatike sesa është.

“Pamjet e eksodit në muajt e fundit u kanë dërguar mesazhe investitorëve, kanë goditur promovimet, të cilat jën bërë në të kaluarën me moton ‘Investoni se këtu kemi përparësi krahasuese’”.

“Sot, jo vetëm nuk kemi investitorë të huaj, por kanë frikë edhe bizneset ekzistuese, pasi në Kosovë shumë më tepër prodhohet politikë se ardhmëri dhe se vetëm flitet për probleme e ato nuk zgjidhen”, ka thënë Gërxhaliu.

I pyetur se kush duhet ta bartë përgjegjësinë e ikjes masive nga Kosova, ai është përgjigjur: “Fakti se nga viti 1999 kemi pasur një përzierje të menaxhimit të ndërkombëtarëve dhe vendorëve, pastaj që s’e kemi kuptuar realitetin se në çdo shtet luftën e bëjnë trimat, por shtetin e udhëheqin të mençurit dhe ata që kanë ekspertizë shkencore, na ka sjellë këtu”.