Migrantët, SHBA kërkon unitet të BE-së

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian që të veprojë bashkërisht në trajtimin e krizës me migrantë.

Bota

16/09/2015 12:21

“Është përgjegjësi e vendeve të Evropës, anëtare të BE-së, që të punojnë së bashku për t’u përballur me këtë problem. Ka kapacitet të jashtëzakonshëm në BE, edhe ekonomikisht, edhe ndryshe, për të adresuar këtë problem, por ajo do të ishte më efektive nëse do të përballej bashkërisht”, ka thënë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest.

Mbi gjysmë milioni migrantë nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika kanë kaluar kufirin e Bashkimit Evropian këtë vit.

Shtetet lindore të bllokut, si Hungaria, Çekia, Sllovakia, kundërshtojnë planin e Komisionit Evropian për shpërndarjen e migrantëve në bazë të kuotave të detyrueshme.

Ministrat e Brendshëm të BE-së pritet të mblidhen në një takim urgjent më 22 shtator, për të diskutuar krizën./rel