Mignolet, pika e dobët e Liverpoolit

9:24 | 18 Prill 2014

Kritika për Mignolet

Legjenda e Liverpoolit, Bruce Grobbelaar kritikon portierin Simon Mignolet. Ai thotë se reprezentuesi belg duhet të përmirësohet dhe nuk mendon se Reds kryesojnë Premierligën për meritat e tij.

Legjenda e Liverpoolit, Bruce Grobbelaar ka thënë se nëse Reds fitojnë titullin në Premierligë këtë sezon, atëherë kjo nuk do të jetë për meritë të portierit Simon Mognolet.

Reprezentuesi belg iu bashkua Liverpoolit në verën e vitit të kaluar pas largimit të Pepe Reinas, i cili u transferua te Napoli në formë huazimi.

Por, edhe pse skuadra e menaxherit Brendan Rodgers aktualisht kryeson në Premierligë, pozita e tyre është rezultat i numrit të madh të golave të shënuar nga Luis Suarez dhe shokët e tij.

Dhe, ish portieri i Liverpoolit, Grobbelaar nuk është i bindur nga Mignolet. “Mignolet është portier i mirë por jo edhe portieri më i mirë në përgjithësi”, deklaroi Grobbelaar.

“Një portier i mirë duhet të jetë i sigurt në këmbët e tij, të nis lojën nga prapa dhe të jetë lider i zonës së tij. Një portier nuk duhet të mposhtet kurrë, ashtu siç është mposhtur ai, nga një goditje me kokë nga pesë metra prej golit. Trajneri i portierëve duhet të punojë më shumë me të sepse mund të përmirësohet, jam i sigurt se mundet”.