Migjen Kelmendi flet për aderimin e tij në PDK, muzikën, Prishtinën dhe zgjedhjet e 6 tetorit

Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Migjen Kelmendi në një intervistë për lajmi.net ka folur rreth aderimit të tij në politikë dhe çështjeve të tjera.

Lajme

17/09/2019 19:39

Kelmendi është shprehur se ka qenë gjithmonë pjesë e çështjeve publike, por se tani sipas tij ka ardhur momenti që përgjegjësinë qytetare, idetë, e tij t’i plasoj direkt në sferën publike dhe të mirret nga afër me çështjet politike.

“Po, tue qenë gazetar gjithë jetën, në esencë je gjithmonë afër çështjeve publike që i quejmë politikë. Dhe ato janë çështje tona, nuk janë të politikanëve dhe gjithmonë i afërt dhe i familjarizuar me këto çështje. Unë kam mendua se përgjegjësinë time qytetare, idetë e mija, tu i lansue në media, tuj qenë gazetar, tu i analizu dhe tu e ndihmu sferën publike, me idetë, analizat dhe punën time. Por unë thash këto ditë i bëra 60 vjet dhe ajo pjesë është konsumu dhe po mendoj se është shumë më e mirë dhe më direkte të jem brenda sferës publike dhe të merrem direkt me çështjet politike”, tha Kelmendi për lajmi.net.

YouTube player

Më tutje, Kelmendi ka folur edhe rreth çështjes se pse ka zgjedhur Partinë Demokratike të Kosovës të jetë pjesë e saj dhe çfarë e lidh me Kadri Veselin e Hashim Thaçin.

Ai është kthyer mbrapa në kohën kur ka qenë gazetar dhe ka folur rreth momenteve kur ishte njoftuar së pari përmes ekranit me Hashim Thaçin e Kadri Veselin, duke thënë se kanë bërë punë të madhe në situatën kur Millosheviqi kishte instaluar paqen e rrejshme.

“Pse PDK? Me PDK mua me lidhë një histori e gjatë, së pari me disa nga protagonistët e PDK-së si Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ata unë i kam pa si gazetar. Unë kam qenë i vetmi gazetar që ka pasë ekskluzivitetin  gati me e mbulue UÇK-në në vitet 97-99, dhe në atë kohë si kam njohur. Së pari i kam parë pas çlirimit të Prishtinës, më herët i kam parë vetëm në ekran. Por ekipi im që kanë shkuar në terren, Nuhi Bytyqi gazetar dhe Abaz Zeka kameraman, ata më sjellnin materiale  që unë i montoja dhe i bëja gati për Televizionin Shqiptar përmes satelitit dhe ato janë pamjet e para të ushtrisë. Unë isha i bindur  se ata janë duke bërë punë të madhe sepse Millosheviqi aso kohe e kishte instaluar paqen millosheviqiane siç e quanim na, sepse ai thoshte se ka paqe dhe s’ka nevojë për intervenim”, tha Kelmendi për lajmi.net.

Në pyetjen se pse Kelmendi njihet edhe si “Ikona e Prishtinës”, ai tha se njerëzit i duan këngët e tij ende, mitet, tregimet e përrallat për qytetin, përmes letërsisë, mediave, muzikës e idiomave të tij.

“Nuk e kam unë, filluan të më quajnë ashtu. Jam duke menduar se këto dy koncertet e fundit që i bëmë në Tiranë dhe Prishtinë, pak a shumë e dëshmuan se Prishtina i do atë këngë që ne i kemi kënduar në 86-ten. Pastaj unë jam ndërtues i miteve pak a shumë për këtë qytet si mungesa e lumit, sepse ky qytet është shumë i shëmtuar, shih çfarë i kanë bërë. Unë me mite e tregime e përralla e kam mveshë këtë qytet përmes letërsisë time, mediat, muzika, idiomat që i përdori, e kanë bërë të mundur me identifiku emrin tim me qytetin, gjë që për mua është kompliment, por nuk jam unë autor i këtij epiteti.”, tha Kelmendi.

Duke folur për koalicionet pas-zgjedhore, Kelmendi tha se një bashkëpunim mes PDK-së dhe LDK-së gjithmonë ka dhuruar stabilitet.

“Nuk do të hyja tek koalicionet. Unë do të thoja se saherë kemi pasur koalicion PDK – LDK kemi pasur stabilitet, proceset kanë hecë. Gjithmonë ka pasur zhurmë nga forcat radikale siç është VV-ja, por Kosova dhe proceset kanë ecur. Nëse do të ishte e mundur diçka e tillë pas 6 tetorit, besoj do të ishte mirë. Por neve na duhet fitorja dhe Kosovës i duhet fitorja e PDK-së”, tha Kelmendi më tutje.

Kelmendi ka thënë se në partitë e tjera, sidomos tek VV-ja po manipulohet dëshira e gjeneratave të reja për ndryshim.

Fajin për këtë, po e gjen tek dështimi i sistemit të arsimit, ku sipas tij një pjesë e të rinjve nuk po arrijnë të gjykojnë saktë ligjërimet politike të liderëve të caktuar dhe po i drejtojnë gabimisht shpresat.

“Në partitë tjera, sidomos tek VV-ja, po manipulohet një dëshirë e gjeneratave të reja për ndryshim, por shpresat janë adresuar gabueshëm. Brenda kësaj partie ka manipulim me këtë vullnet, me këtë dëshirë për ndryshim. Këtë po e lidhi me fenomenin e paaftësisë së një gjenerate të dallojë se çfarë është fakti, argumenti, mendimi kritik, i bën besoj të jenë të kollajshëm për manipulim. Kjo lidhet me një debakël të sistemit arsimor në Kosovë dhe sot kemi arritur në një situatë ku një numër i qikave dhe djemve të ri të Kosovës, nuk po arrijnë tek lideri që i kanë shpresat, shembull Kurti, të dallojnë a ka kundërthënie, a ka diçka aty jo-logjike, po mungon mendimi kritik ndaj tij dhe gati janë shndërruar në gjematë ndaj tij. Por kjo nuk më bën mua të humb lidhjen me këtë gjeneratë dhe kjo gjeneratë duhet të ketë mendim kritik dhe të mendoj me kokë të vet”, tha Kelmendi.

Kelmendi i pyetur se pse e ka quajtur veten “dëshmitar i pavullnetshëm”, tha se me aderimin e tij në politikë, është shndërruar në dëshmitar të vullnetshëm.

“Tash veç jam dëshmitar i vullnetshëm, sepse jam aktivizuar me vullnet. Kur kam thënë dëshmitar i pavullnetshëm, kam mendua se si gazetar, i kam ndjekë ngjarjet, shndërrohesha në dëshmitar edhe kur nuk kisha dëshirë. Prej demonstratave të vitit 81 aty isha i vullnetshëm sepse kam marrë pjesë vet, pas asaj shpesh e kam gjetur vetën si dëshmitar i pavullnetshëm sepse shndërrohesha në dëshmitar. Me pak fjalë unë i njoh gjërat që kanë ndodhur në Kosovë. Por me aktivizimin në PDK, jam me vullnet në sferën publike”, tha Kelmendi.

Kelmendi ka treguar se si mund të bëhet hero dikush, duke thënë se të jesh aktiv, të kesh përgjegjësi, me ditë me i peshu, me matë, me pasë mendim kritik është të qenit hero.

“Ato janë këngë, që janë incizuar gjatë viteve 80, ndërkohë unë e kam një botë librash botue dhe e kam një jetë gazetarie krye edhe po them ka shumëçka tjetër, që kisha mujtë me e lidhë me këtë kohë. Besoj e ke fjalën për këngën “Qysh me u ba hero”, po qe një mënyrë qysh me u ba hero është të jesh aktiv si qytetar, të veprosh, të kesh përgjegjësinë me ditë me peshu, me matë, me pasë mendim kritik, me ditë se çka është mirë e keq, qe një formë e të qenit hero”, tha Kelmendi.

Në fund, ai ka porositur qytetarët të votojnë Partinë Demokratike të Kosovës, sepse sipas tij, kjo parti i duhet Kosovës në përmbyllje të proceseve të shtet-formimit. /Lajmi.net/