Meta: Sot në Ditën e Çlirimit, çdo shqiptar i gëzohet arritjeve të Kosovës

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, përkujtoi sot 23 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.

Lajme

12/06/2022 18:47

“Sot në Ditën e Çlirimit, çdo shqiptar i gëzohet arritjeve të Republikës së Kosovës, faktor kyç për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon, shembull frymëzues i ndërtimit të demokracisë dhe shtetit ligjor, që meriton sa më parë të jetë anëtare e NATO-s, përfituese e liberalizimit të vizave, anëtare e Këshillit të Evropës, si dhe çdo organizate ndërkombëtare”, shkroi Meta në një postim në rrjetet sociale.

“Në këtë ditë historike nderojmë vizionin strategjik të Presidentit Ibrahim Rugova, rezistencën e lavdishme të UÇK, heroizmin legjendar të Komandantit Adem Jashari dhe sakrificat e çdo shqiptari që kontribuoi për lirinë dhe pavarësinë”, theksoi Meta.

“Mirënjohje dhe thellësisht falënderues për Aleancën e Atlantikut të Veriut, SHBA-ve dhe vendeve demokratike mike, që i dhanë fund gjenocidit, kurorëzuan aspiratën shekullore për liri dhe vazhdojnë t’i qëndrojnë afër Kosovës për të ndihmuar në zhvillimin e pandalshëm të demokracisë, avancimit të proceseve integruese evropiane dhe euro-atlantike”, u shpreh Meta.