Meta: Rama më ka kërcënuar; Rama: Mos e merrni seriozisht Metën

Kreu i Shtetit deklaroi në mediat sociale se është kërcënuar nga Edi Rama.

Lajme

11/01/2019 19:03

Një ditë pasi refuzoi propozimin e Gent Cakës për ministër të Jashtëm, Presidenti Ilir Meta ashpërsoi tonet e përplasjes institucionale me kryeministrin Edi Rama.

Kreu i Shtetit deklaroi në mediat sociale se është kërcënuar nga Edi Rama, ndaj të cilit renditi edhe një seri akuzash të tjera.

“Ai që guxoi të kërcënojë komisar Zaganin pse denoncoi bashkëpunimin e trafikantëve të drogës me pushtetarët, ai që guxoi të kërcënojë nënkomisarin e Fushë-Krujës pse hetoi dhunimin e një vajze nga djali i një deputeti, ai që guxoi të kërcënojë një profesor të nderuar vetëm pse i shkruajti një letër Presidentit të Republikës në mbrojtje të interesit kombëtar, ai që kërcënon çdo ditë gazetarë e pronarë mediash, ai që kërcënon prokurorë e gjyqtarë, ai që kërcënon opozitarë dhe dëshmitarë, ai që urdhëron falsifikimin e letrave të tenderave e deri tek dokumente të sigurisë kombëtare bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë”, shkruan Meta.

Presidenti Meta nuk tregoi kur dhe si është kërcënuar nga kryeministri, por pohon se nuk ndalet as para tij dhe as para Gjykatës Kushtetuese: “Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit, për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Interesi kombëtar i pari! Shqipëria e para”, transmeton “Tch”.

Përgjigjja e kryeministrit erdhi gjithashtu në mediat sociale, ku me ton ngacmues Rama ftoi që të mos merrej seriozisht Kreu i Shtetit: “Mos e merrni seriozisht ju lutem. Ose i ka vjedhur Doktorresha e Shkencave passëord-in e faqes zyrtare ose pastaj është në atë fazën kur i bën thirrje popullit për të marrë armët, ngaqë s’di si të dalë nga gropa që i hap vetes! I çova provat e mëkatit ndaj Gentit dhe vuan tani”.

Një nga arsyet pse Presidenti refuzoi dekretimin e Gent Cakës në krye të diplomacisë shqiptare ishte mungesa e certifikatës së sigurisë për 7 muaj gjatë të cilave ai ushtroi detyrën e zv/ministrit të Jashtëm. Kreu i Shtetit vëren gjithashtu që Caka u pajis me këtë certifikatë brenda 24 orëve, në fillim të janarit 2019, pa kryer verifikime të thelluara, sipas Presidentit.

Për këto arsye ai i kërkoi Kuvendit që të ngrejë një komision hetimor parlamentar për të hetuar veprimtarinë në këtë rast të Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar, e cila lëshon certifikatën në fjalë, institucion ky në varësi të kryeministrit.