Meta: Ministria e Jashtme s’mund të kthehet në autoshkollë ku ustai kërkon të mësojë “gjeniun” si të ndryshojë kufijtë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka vazhduar debatin rreth mosdekretimit të kosovarit Gent Cakajt si ministër të Jashtëm të Shqipërisë, që ia kërkoi kryeministri Edi Rama.

Lajme

12/01/2019 11:01

“Sot, në momente të rëndësishme të sfidave tona rajonale, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë nuk mund të kthehet në autoshkollë ku ustai i madh kërkon të mësojë “gjeniun” si të ndryshojë kufijtë e të gjithë Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Meta në profilin e tij zyrtar në Facebook.

Tutje, Meta shkruan se Partia Socialiste ka kapacitete të jashtëzakonshme në fushën e politikës së jashtme dhe Shqipëria ka shumë diplomatë të sprovuar, të cilët mund të vendosen në drejtimin e politikës sonë të jashtme, pa kaluar nga autoshkolla e ndryshimit të kufijve në gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Shqipëria do jetë gjithmonë faktor paqe e stabiliteti në rajon. Shqipëria do ketë një lidership të besueshëm edhe në kryesimin e OSBE-së. SHQIPËRIA E PARA”, ka shkruar Meta.