Meta: Kolegji justifikoi organizatën socialiste të KQZ

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është deklaruar në lidhje me vendimin e Kolegjit Zgjedhor.

Lajme

25/06/2019 08:48

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka komentuar sot në një konferencë për medie vendimin e Kolegjit Zgjedhor për Partinë Uniteti Kombëtar.

Ndërkohë, gjatë konferencës Meta tha se vendimi i Kolegjit ka të bëjë vetëm me palët në proces dhe jo me dekretin e Presidentit dhe as me zgjedhjet.

Ndërkaq, zgjedhjet e 30 qershori ai i cilësoi si imagjinare, pasi dekreti i tij mbetet në fuqi.

Deklarata e plotë e presidentit Meta:

Të nderuar qytetarë, dhe bashkatdhetarë të dashur gazetarë. Më datë 10 qershor kam dekretuar shfuqizimin e dekretit 10928 për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe anulimin e datës 30 qershor si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve. Kjo vendimmarrje synonte tu krijonte palëve një mundësi reflektimit.

Në veçanti kjo iniciativë synonte të ndihmonte përpjekjet për dialog të kryeministrit Rama që i kishte shkruar 7 letra publike kreut të PD Lulzim Basha. Por në mënyrën më zhgënjyese parlamenti miratoi një rezolutë që iu bënte thirrje institucioneve të mos zbatonin dekretin. Ditën e djeshme në kolegjin zgjedhor u shqyrtua kërkesa e një partie kundër vendimit të KQZ.

Kolegji zgjedhor vendosi rrëzimin e kërkesë padisë për tu çregjistrojë nga këto zgjedhje imagjinare. Vendimi ka të bëjë vetëm me vendimin e kësaj partie dhe organizatës socialiste në KQZ.

Nisur nga dezinformacionet e shpërndara në media e gjen me vend të sqarojë se Kolegji nuk mund të shqyrtonte vlefshmërinë e dekretit të presidentit sepse një tagër të tillë nuk ia lejon kushtetuta. Vendimi i marrë nuk mund të prodhojë një efekt juridik qoftë për dekretin qoftë për zgjedhjet.

Vendimi i djeshëm i kolegjit zgjedhor ka efekt vetëm kundrejt palëve në proces, pra midis organizatës socialiste në KQZ dhe aleatit të PS. Vendimi i djeshëm është një truk procedural, përpjekje e dëshpëruar për të ndërtuar një operacion propagandistik. /Lajmi.net/