Meta kërkon fuqizimin e grave në politikë

Kreu i LSI-së, Ilir Meta ishte në takimin e organizuar me gratë dhe vajzat e njësisë 2 në Tiranë. Meta u shpreh se për një shoqëri të shëndetshme na duhet një familje e shëndetshme dhe se për këtë roli i grave, i vajzave, i nënave, është i jashtëzakonshëm, sepse përgjegjshmëria e tyre është maksimale në familje, në komunitet, në rrethin familjar dhe shoqëror.

Lajme

16/04/2017 14:06

“Është shumë e rëndësishme që fuqizimi politik i gruas të sjellë një fuqizim ekonomik dhe social, që është edhe themeli i një dinjiteti njerëzor të sigurt të çdo gruaje dhe të çdo nëne”, tha Meta, duke theksuar se në të ardhmen gratë do të jenë edhe më të përfaqësuara në vendimmarrje.

“LSI kujdeset për vendin. LSI kujdeset për njerëzit. LSI mban fjalën. LSI është një shans për të gjithë. Ne do të bëjmë maksimumin në të ardhmen për t’u përfaqësuar me sa më shumë gra dhe vajza”, shtoi Meta.

Më tej, kryetari i LSI-së u shpreh se fokusi duhet vendosur te çështjet që kanë të bëjnë me të rinjtë, me nënat e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë në familjet tona, që ato të kenë një të ardhme më të mirë.

“Nëqoftëse për një fëmijë garantohet një e ardhme më e mirë, kjo është për të gjithë familjen, kjo është për të gjithë shoqërinë. Është detyra jonë që të tregojmë, që familjet shqiptare, që nënat shqiptare që gratë shqiptare duan paqe sociale në vend sepse në radhë të parë duan paqe sociale në familjen e tyre, duan një të ardhme të qetë dhe të sigurt për fëmijët e tyre”, – u shpreh z. Meta, teksa nënvizoi se një mundësi më e mirë ekonomike dhe sociale rrit mundësinë e pavarësisë të forcimit të dinjitetit të gruas, të nënës në familje dhe në shoqëri”, tha Meta. / Top Channel/