Meta: Faturën për dëmet e shkaktuar +TVSh duhet dërguar në Vetëvendosje

Deputeti i LDK-së, Bardhyl Meta thotë se urrejtja e Vetëvendosjes ndaj “Zajedincës” po sjell dëmtim masiv të pronës publike, asaj shtetërore dhe private.

Lajme

11/09/2015 18:24

Pas dëmtimeve të veturave zyrtare që Vetëvendosje kanë bërë të premten, Meta thotë se fatura për të gjitha dëmet e shkaktuara në protesta të dhunshme, madje me gjithë TVSh, duhet t’i dërgohet nga institucionet përkatëse po këtij subjekti politik që po shkakton dëme.

Madje, ai e qon këtë ide deri në fund. Thotë se nëse nuk i paguajnë duhet angazhuar përmbaruesi dhe tu ndalohen parat që shteti i jep si subjekt politik i regjistruar.

Ja shkrimi i tij i plotë:

VV: Me’demek, urrejtje ndaj “Zajednicës” – ndërkaq, për pasojë, dëmtim masiv (i planifikuar) i pronës publike, asaj shtetërore por edhe private!?

– Në fakt, do të duhej që shumë thjesht, fatura e të gjitha dëmeve të shkaktuara në protesta të dhunshme – plus TVSH, t’i dërgohej nga institucionet përkatëse, partisë politike të quajtur “Vetëvendosjes”! Ngase, ajo (me aktivistët e saj) po i shkakton dëmet me paramendim, me plan operativ dhe qëllimisht!

– Po tutje?

Tutje, ose ia dërgon përmbaruesin – nëse s’paguhet fatura, ose vlera totale e faturës, i zbritet nga kuota financuese, që VV (si çdo parti tjetër) merr nga buxheti Kosovës për financim të partive politike…!

Kaq, sa i përket, dëmeve fizike e materiale, të shkaktuara me paramendim, plan e aksion konkret të veprimit të dhunshëm – të cilësdo parti politike apo organizatë e individ…!

Tjerat: tjerat, përveç dhunës e vandalizmit, janë thjeshtë mendime, qëndrime, opinione, mospajtime, kundërshtime etj, etj… pra janë thjeshtë politike dhe krejtësisht legjitime e demokratike – çoftë në Kuvend, apo jashtë tij…!

Por, kur kemi të bëjmë me vandalizëm programor, të qëllimshëm dhe kur kemi të bëjmë me dëme materiale – ndaj kujtdo – atëherë kjo, duhet të ketë koston e vet, faturën me adresë të caktuar + TVSH, si gjithandej në botë…!