Mësyni turistë, Gryka e Rugovës u shtrua me asfalt

Tashmë rugovasit, bizneset që veprojnë në Rugovë dhe turistët do ta kenë më të lehtë, pasi sot u përurua rruga e re Kuçishtë-Boge, e cila lidh tre fshatra të kësaj ane.

Lajme

06/11/2014 18:49

Rruga e re është e gjatë 8.5 kilometra, kurse për të Ministria e Infrastrukturës shpenzoi 2.8 milionë euro.

Një investim i tillë në Rugovë u cilësua si ndër më të duhurit, si nga banorët ashtu edhe nga Ministria e Infrastrukturës.

“Rëndësia e kësaj rruge as që që mund të përshkruhet, jemi 13 fshatra të Rugovës, deri në Kuçishtë ka qenë nifar asfalti, ta quajmë, e prej Kuçishte këtu 2 orë në këmbë, e thuja një orë kemi udhëtuar me kerre, e tash nuk duhet ashtu, ka qenë rrugë e keqe”, ka thënë Halim Bogu për Kosovapress.

Sipas ministri në detyrë të Infrastrukturës, Fehmi Mujota, tashmë në këtë pjesë janë krijuar kushtet optimale për turizëm.

“Vetëm brenda një viti, sa po punohet në këtë rrugë, mund të vërehet se për tre herë është shtuar numri I vizitorëve dhe sigurisht është shumëfishuar numri i investimeve……Këtu jam për të treguar edhe një herë se Qeveria e Kosovës është e interesuar që të vazhdojë investimet, krijimin e kushteve sa më të favorshme për turizmin malor dhe përgjithësisht për zhvillimin ekonomik dhe, mbi të gjitha, Ministria e Infrastrukturës ka plane të tjera për Komunën e Pejës dhe Grykën e Rugovës. Ne do të vazhdojmë edhe me një investim tjetër rreth 700 mijë euro në tre fshatra të grykës së Rugovës”, ka thënë ai. (KosovaPress)