Mësuesit ‘fantazmë’ të Parteshit

Janë rreth 100 mësues në Komunën e Parteshit të cilët marrin paga mujore pa dhënë mësim asnjë orë të vete.

Lajme

02/07/2014 10:23

Këta persona kanë kontratë pune e përkundër këtij fakti ata nuk figurojnë as në listat e shkollave të kësaj komune. Buxheti i vogël i Parteshit, vetëm vitin e kaluar, për këto paga është dëmtuar hiq më pak se 141 mijë e 710 euro, thuhet në të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm shkruan sot “Tribuna”.

“Si pjesë e auditiveve të pagave kemi vërejtur se në kuadër të komunës janë paguar rreth 100 punëtorë të arsimit të cilët posedonin kontratë pune ndërsa angazhimi i tyre nuk ishte bërë në asnjë shkollë”.

“Nga gjashtë shkolla ekzistuese të Komunës ne siguruam listat e stafit të pesë shkollave, ndërsa për regjistrin nga shkolla e mesme teknike nuk është arritur mirëkuptimi për ofrimin e regjistrit të arsimtarëve nga kjo shkollë. Ne vërtetuam se stafi që kishte pranuar paga nga Payrolli nuk figuronte si staf në listën e shkollave”.

Auditori i Përgjithshëm mendon se pagesa e këtyre personave të cilët nuk kanë punuar as edhe një ditë të vetme e që janë paguar, është një vendim politik i marrë nga menaxhmenti i kaluar i kësaj komune.

“Pra, duket se kjo çështje ka qenë politike dhe e njohur për menxhmentin e kaluar e kaluar i cili nuk ka shprehur gatishmëri dhe vullnet për ta ndryshuar”, thuhet në raporton e Auditorit të Përgjithshëm, shkruan sot “Tribuna”.