Messi xhelozon Maradonën

Lionel Messi pranon se xhelozon Diego Maradonën, por edhe Pelen e Franz Beckenbauerin për sukseset e tyre në nivelin ndërkombëtar. Por, ylli i Argjentinës dëshiron t’i bashkohet atyre duke triumfuar në Kampionatin botëror në Brazil.

Sport

30/05/2014 09:47

Ylli i Barcelonës dhe Argjentinës, Lionel Messi ka pranuar se gjithmonë ka xhelozuar Diego Maradonën, por edhe Pelen e Franz Beckenbauerin për suksesin e tyre në skenën ndërkombëtare.

Messi vazhdimisht është krahasuar me bashkëkombësin e tij Maradona pas paraqitjeve fantastike me klubin që i kanë sjell katër Topa të Artë, dhe më tepër se 21 tituj, e rekorde të golave.

Mirëpo, 26-vjeçari ka pranuar se është një mungesë e madhe në kabinetin e titujve të tij derisa përgatitet të udhëheq kandidaturën e Argjentinës në Kampionatin botëror në Brazil.

“Isha xheloz, por ndjeja xhelozi të shëndosh. Kërkoja të ndërroja vendin me ta”, deklaroi Messi për ESPN i pyetur se si ndihej duke shikuar Maradonën, Pelen dhe Beckenbauerin duke ngritur trofeun e çmueshëm.

“Dua të bëhem kampion i botës dhe të ndryshoj perceptimin e të tjerëve karshi meje, duke shtuar titullin e kampionit të botës në listën e arritjeve të mija”, u shpreh ai.