Messi nuk ishte më i miri në Botëror

Legjenda e Brazilit, Pele, thotë se Lionel Messi nuk ishte futbollisti më i mirë në Botërorin 2014. Por, ai beson se argjentinasi ka ende shanse të fitojë titullin më 2018.

Sport

11/09/2014 13:01

Legjenda e Brazilit, Pele, ka thënë se Lionel Messi ka ende kohë që të fitojë Kampionatin botëror. Ai e lavdëroi kapitenin e Argjentinës dhe beson se prapë mund ta udhëheq skuadrën drejt triumfit në garën më të rëndësishme ndërkombëtare.

Argjentina u mposht nga Gjermania me rezultat 1:0 në finalen e Kampionatit botëror, por Pele beson se Messi ka ende kohë që ta fitojë titullin. Edhe pse ai pranon se sulmuesi nuk ishte futbollisti më i mirë i garës, i shpallur zyrtarisht nga FIFA.

“Sigurisht se Messi mund ta fitojë titullin më 2018”, deklaroi Pele për “DPA”.

“Messi është futbollist i madh në formë të mrekullueshme. Aspak nuk dyshoj në aftësitë e tij. Ai ka edhe një shans të fundit në Rusi. Ndoshta nuk ishte futbollisti më i mirë në Brazil, por nuk do të thotë se është futbollist i keq”, u shpreh ai.

Messi ka zhvilluar 93 ndeshje për Argjentinën dhe ka shënuar 42 gola.