Messi, favorit për MVP të Botërorit

Lionel Messi është favorit për t’u zgjedhur MVP i Botërorit të Brazilit. Ylli argjentinas është zgjedhur lojtari më i mirë i ndeshjes në katër nga pesë ndeshjet e Argjentinës.

Sport

06/07/2014 18:32

Botërori i Brazilit po hyn në fazën finales, me gjysmëfinalet që do të zhvillohen në mesjavë. Brazil–Gjermani në njërën anë dhe Holandë–Argjentinë në tjetrën, janë këto katër skuadrat që do ta kërkojnë finalen e Maracanas, ndeshje kjo që do të zhvillohet të dielën mbrëma.

Në aspektin individual, Leo Messi u hyn këtyre ndeshjeve si favorit për t’u shpallur MVP (lojtari më i vlefshëm) i Botërorit.

Pas fazës së grupeve, së tetës së finales dhe çerekfinales, asnjë lojtar nuk ka marrë më shumë trofe MVP i ndeshjes sesa Messi.

Ylli i Barcelonës është zgjedhur katër herë lojtari më i mirë i ndeshjes, ndërsa konkurrentët e tij direkt (James Rodriguez e Keylor Navas, me nga 3) , tashmë janë jashtë kompeticionit.

Me 2 çmime MVP, Neymar është jashtë për shkak të një lëndimi, ndërsa Arjen Robben i ka dy çmime, njëjtë si Thomas Muller, prandaj të gjitha statistikat janë në favor të yllit argjentinas.

Megjithatë, objektiv i tij është që ta fitojë Botërorin, duke iu kushtuar më pak rëndësi çmimeve individuale.