Messi e meriton ta fitojë Botërorin
Neymar e ka shprehur mbështetjen për bashkëlojtarin e tij të Barcelona, Lionel Messi, duke uruar që ai ta fitojë Botërorin, pas finales ndaj Gjermanisë, që do të zhvillohet të dielën në stadiumin Maracana.

Sport
Neymar thotë se bashkëlojtari i tij tek Barcelona, Lionel Messi, e meriton ta fitojë Botërorin. “Albiceleste” shkuan në finale, ku do të luajnë të dielën mbrëma ndaj Gjermanisë, pasi e mposhtën Holandën 4:2 në penallti në gjysmëfinale të mërkurën, derisa loja e rregullt dhe vazhdimet përfunduan, 0:0.
Përkundër rivalitetit tradicional ndërmjet Brazilit dhe Argjentinës, Neymar insiston se do të ishte i gëzuar nëse Messi e ngre lart trofeun e Botërorit në Maracana, pasi e quan atë një fitues të lindur.
“Messi e meriton ta fitojë Botërorin. Ai është shoku im, ia uroj të gjitha të mirat”, deklaroi 22 vjeçari në konferencë për shtyp.
Argjentina dhe Gjermania do të përballen në finale të Botërorit për herë të tretë, ndërsa “Die Mannschaft” kishin fituar në finalen e 1990 e ekipi jug-amerikan, me në krye Diego Armando Maradonën, triumfonte më 1986.