Mesazhi për Zgjedhjet në Veri

Ambasadorja Tracey Ann Jacobson thotë se i ka dhënë shumë kurajë niveli i pjesëmarrjes në zgjedhje në tri komunat tjera në Veri. Pohon se do të punojë me këdo që del fitues në një proces demokratik në Veri.

14/11/2013 20:28

Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, thotë se incidente e 3 nëntorit janë ende duke u hetuar nga të gjitha autoritetet përkatëse.

Informacionet që ajo posedon flasin për një person të arrestuar dhe ndaluar.

Ambasadorja Jacobson, në një intervistë për RFE, shprehet e bindur se do të zbulohen edhe të tjerët dhe drejtësia do të vihet në vend.

“Por, çështja e rëndësishme tani është se situata po ecën përpara. Dhe unë besoj se të dielën do të kemi një prani më rigoroze dhe më të dukshme të strukturave të sigurisë, qoftë të Policisë së Kosovës apo të institucioneve ndërkombëtare të sigurisë”.

“Meqë po flasim për një numër të kufizuar të qendrave të votimit, disi kjo gjë do të jetë pak më e lehtë, por jam e bindur se mes tri institucioneve të sigurisë, pra Policisë së Kosovës, EULEX’it dhe KFOR’it, do të ketë prani të mjaftueshme të forcave të sigurisë për të penguar keqtrajtimin e mundshëm, për të penguar sulmet sikur që ndodhën herën e kaluar dhe për të mundësuar një ambient në të cilin njerëzit ndihen rehat për të dalë dhe për të votuar”.

“Është shumë e rëndësishme që ata të dalin dhe votojnë”.

Ambasadorja Jacobson thotë se i ka dhënë shumë kurajë niveli i pjesëmarrjes në zgjedhje në tri komunat tjera në Veri.

“Kjo vërtet tregon se njerëzit janë të interesuar që të zgjedhin udhëheqësit e tyre dhe mendoj se kjo është veçanërisht e rëndësishme edhe për qytetarët në Mitrovicë”.

“Ata do të duhej të dëshirojnë të zgjedhin atë që mendojnë se do të jetë më së miri në gjendje ta çojë komunën përpara dhe kësisoj t’u ndihet zëri për të ardhmen e qytetit të tyre”.

Sipas saj, ekstremistë do të ketë gjithmonë, por është e rëndësishme që të ketë një plan sigurie që ofron siguri për njerëzit, që ofron siguri për votuesit dhe zyrtarët në vendvotime.

“Ne vërtet shpresojmë që pas këtyre zgjedhjeve do të shohim kryetarë komunash dhe kuvende komunale, të zgjedhur në mënyrë legjitime me të cilët mund të punojmë, me të cilët të tjerët mund të punojnë dhe të cilët do të jenë në gjendje t’i përmbushin nevojat e qytetarëve të tyre, qofshin ato për krijimin e vendeve të punës, qasje në ujë të pijshëm, menaxhimin e mbeturinave ose çështje të tjera që zgjidhen në nivel komunal”.

“Kur kam qenë në Veri, kam parë nevojën e madhe që kjo pjesë ka për zhvillim të infrastrukturës, për investime. Presim me padurim të punojmë me kryetarët e zgjedhur në përpjekje për të mbështetur punën e tyre në këtë drejtim”.

Jacobson shpreson që një ditë Kosova do të bëhet një vend, në të cilin qytetarët do të mund të shprehnin vullnetin e tyre.

“Pra, duke votuar për kandidatin që më së miri i përfaqëson interesat e tyre, i cili është më i miri për ta çuar komunën përpara dhe i cili i jep llogari popullatës lokale, së cilës duhet t’i shërbejë”.

A është “rrezik” për serbët në Veri nëse një shqiptar zgjidhet kryetar?

“Kjo është pyetje e çuditshme për t’iu bërë një qytetari amerikan, sepse etnia për ne nuk është faktor. Por, megjithatë mendoj se njerëzit në Veri duhet ta marrin vetë vendimin se kush duan që t’i përfaqësojë”, thotë Jackobson, në vijim të intervistës për RFE.

Sipas rezultateve preliminare, në jug, Nisma Qytetare “Srpska”, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit, ka gjasa të udhëheqë disa komuna të banuara me shumicë serbe.

RFE pyet se a mund të jetë në rrezik funksionimi i këtyre komunave, duke marrë parasysh faktin se “Srpska” nuk e njeh Kosovën si shtet, nuk i njeh ligjet e saj dhe këto komuna të decentralizuara duhet të funksionojnë në përputhje me ligjet e Kosovës?

“Nuk dua të paragjykoj raundin e dytë të zgjedhjeve; mendoj se është herët të bëhet një gjë e tillë. Por, natyrisht, ne do të jemi të përgatitur të punojmë me këdo që del fitues në një proces demokratik, ashtu siç bashkëpunojmë me udhëheqësit komunalë në mbarë Kosovën. Dhe në fund, është e rëndësishme që zgjedhjet të mbahen në mënyrë të drejtë dhe të ndershme dhe që paraqesin vullnetin e qytetarëve”.

“Të mos harrojmë se këto zgjedhje janë të parat që mbahen në të gjithë territorin e Kosovës sipas ligjeve të Kosovës dhe unë mendoj se është një hap i rëndësishëm përpara”.

Mesazhi im për votuesit kudo është dilni dhe votoni, votoni personin që ju mendoni se është më i mirë për të udhëhequr, e jo personin që bën premtime më të bukura ose kërcënimet më të ndyta. Votoni njeriun që do ta udhëheqë komunën tuaj drejt një të ardhmeje më të ndritur.”