Mesazhi i Thaçit në Drenas

Hashim Thaçi vizitoi Drenasin dhe ftoi qytetarët ta votojnë numrin 99. Kërkoi që projektet në këtë Komunë të vazhdojnë. Tha se disa të PDK’së, e mira i ka çu peshë dhe i ftoi ata që të kthehen në shtëpi.

Lajme

08/10/2013 19:41

Hashim Thaçi ka vizituar Drenasin, në kuadër të fushatës elektorale, prej nga ka dërguar edhe mesazhe për bashkëpartiakët e tij.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Drenasit që të dalin dhe të votojnë për PDK’në, që, siç është shprehur ai, për ta bërë fitoren e PDK’së madhështore dhe si gjithherë me përqindje të lartë në krahasim me partitë tjera.

E atyre që duan të dalin nga PDK, u ka bërë thirrje të kthehen në shtëpinë e vet.

“Në të njëjtën kohë, sot, përmes këtij tubimi, dëshiroj t’u dërgoj një mesazh edhe disave që e mira i ka çu peshë, që të kthehen në shtëpinë e vet, sepse Drenica, Drenasi, e ka pasur dhe do ta ketë një adresë, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Partinë Demokratike të Kosovës. Prandaj, dilni dhe votojeni numrin 99”.

Lideri i PDK’së ka deklaruar se PDK duhet të fitojë në Drenas, për të vazhduar punën dhe për të mos ndalur projektet për Drenasin.

Ka thënë se Drenasi nuk duhet të ndihet i diskriminuar, si në kohën kur Qeverinë e kanë udhëhequr ata të cilët e kanë lënë mbrapa me investime edhe Drenasin, edhe Drenicën në përgjithësi.

Thaçi i ka premtuar Nexhat Demakut, Kandidatit për Drenas, se do ta mbështesë atë në projektet e tij.

Ndërsa, Kandidati i PDK’së për Kryetar të Drenasit dhe Kryetari aktual Nexhat Demaku ka shprehur bindjen se PDK do të shënojë përsëri fitore në zgjedhjet e 3 nëntorit.

“Ata që tentojnë ta përçajnë PDK’në, ishin dhe do të jenë humbësit me të mëdhenj. PDK është unike dhe e pandarë dhe është e pakonkurrencë”.