Mesazhe kundër pjesëmarrjes në luftërat e huaja nga Veseli e Tërnava

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, si dhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, gjatë një takimi që patën sot në shkollën fetare “Medrese e Mesme”, diskutuan për pjesëmarrjen e qytetarëve në luftëra jashtë vendit.

Lajme

26/11/2015 18:04

Ata dënuan shkuarjen e qytetarëve të Kosovës në vende të huaja për të luftuar, duke u thirrur në fenë islame.

Nga Kosova deri më tani mendohet se më shumë se 300 qytetarë kanë shkuar për të luftuar në Siri. Rreth 50 prej tyre janë raportuar se janë vrarë në këto luftëra.

Për kryeparlamentarin Veseli, njerëzit e tillë dhe grupet e tilla janë vetëm armiq të popullit dhe armiq të Zotit.

Ai tha se edhe vizita e tij në këtë medrese ishte me qëllim që të përçohet në botë mesazhi se Kosova është vend i tolerancës fetare dhe një komb me traditë.

“Njerëz të tillë, grupe të tilla, janë vetëm armiq të Zotit, armiq të fesë islame, të cilën ju e besoni dhe unë e besoj. Ata tentojnë që në emër të saj ta hasmojnë botën në mes vete, janë shëmtira të cilët duhet që të ikim nga ata por edhe duhet luftuar kundër tyre, ashtu siç Zoti dhe i dërguari i tij Muhameti, na mëson të luftohet e keqja”, thotë Veseli

Njëjtë i drejtpërdrejtë në mesazhe, ishte Myftiu Naim Tërnava.

Ai tha se përderisa e gjithë bota është në frikë të sulmeve terroriste, një rrezik të tillë e ka edhe Kosova, pasi që kërcënimet e tilla kanë ardhur edhe për Kosovën.

Ai iu drejtua nxënësve duke thënë se nuk do të lejojnë asnjëherë që njerëz për interesa individuale terciare, ose klanore të keqpërdorin librin e shenjtë të fesë Islame, Kuranin, i cili është baza e fesë islame.

“Bashkësia Islame e Kosovës sikur edhe deri tash, me tërë potencialin e saj, me tërë forcën vet, me tërë kuadrin e vet, do të angazhohet edhe më shumë që të ndikojë tek të gjithë brenda trojeve të veta etnike shqiptare që rrugën që kanë marrë disa nga këto vende etnike e troje shqiptare, të mos e marrin atë rrugë, sepse ajo është rrugë ku nuk është në razi Allahu, ajo është një rrugë që është kundër vetë urdhrave të Kuranit”, thotë Myftiu Tërnava.

Ai tha se po keqpërdoret dhe po keqinterpretohet vetë feja islame për qëllime të disa njerëzve që nuk janë të thirrur ta bëjnë një gjë të tillë.

Sipas tij, masakra që ndodhi në Paris dhe ato që kanë ndodhur më parë në Bejrut e Ankara, janë të papranueshme dhe të pafalshme.

“Mos bini pre e njerëzve të cilët janë vetë injorantë dhe nuk e dinë se çfarë po bëjnë… ku do që të jeni, duhet ta ngritin zërin edhe tek moshatarët tuaj e tu thoni që kjo e cila po ndodhë në emër të fesë islame, nuk ka asgjë të bëjë me fenë islame, dhe nuk e lidhë asgjë krimin me islamin, por është e vërteta e madhe se po keqpërdoret dhe po keqinterpretohet nga njerëz injorantë e të paditur”, tha Tërnava.

Myftiu tha se gjatë muajve të fundit janë bërë vizita të shumta tek imamët, tek medresetë në të gjithë vendin, që të shikohet se si mund të ndalet “një e keqe që po i ndodh të gjithë botës”.