Mërzia e Vulinit
Aleksandar Vulin ndjen mërzi që serbët e Kosovës do të dalin në zgjedhjet e thirrura nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Por, thotë se kjo ka qenë mënyra e vetme që serbët e Kosovës “t’i ruajnë lidhjet me Serbinë”.
Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit janë të thirrura nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe ky fakt po i shkakton mërzi Ministrit pa Portofol në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin.
Ai ka pranuar që thjesht nuk është i lumtur që serbët do të dalin në zgjedhjet të cilat nuk janë të thirrura nga Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Nebojsa Stefanovic.
“Por, askush nuk është aq i verbër të mos e kuptojë se kjo është e vetmja mënyrë për t’i ruajtur lidhjet me shtetin tonë, me Beogradin, me Qeverinë e Serbisë, për interesin nacional shtetëror në territorin e Kosovës dhe Metohisë, për të formuar Bashkësinë e komunave serbe dhe në këtë mënyra ta ruajmë jetën e serbëve në Kosovë dhe Metohi”, ka thënë Vulin, në një intervistë për televizionin serb Pink.
Ai ka thënë se Vucic ka qenë arkitekt i bashkësisë së komunave serbe dhe se është “më meritori” për këtë, duke shtuar se “pa asnjë dyshim” ai do ta vizitojë Kosovën.
Ndryshe, Aleksandër Vulin dhe Dragan Gllomocic kanë paralajmëruar që sot do të qëndrojnë në Kllokot, ku do të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes së sezonit të nxjerrjes së patates.
Vulin, që është ministër pa portofol, i ngarkuar për Kosovë, paraprakisht do të marrë pjesë në hapjen e një muzeu në Hoçë të madhe, të komunës së Rahovecit, shkruajnë mediat serbe.
Po ashtu, do të marrë pjesë edhe në një tubim të serbëve në qendër të Kllokotit.