Merr vendim Policia e Kosovës, anulohet konkursi i gradimit për rreshter

Policia e Kosovës ka marrë vendim për anulimin e konkursit të hapur për gradim për rreshter. Nga Policia e Kosovës kanë njoftuar se me qëllim të eliminimit të të gjitha paqartësive dhe ruajtjes së kredibiliteit të procesit të cilat mund të zbehin imazhin e Policisë së Kosovës, si dhe bazuar në rekomandimet e Inspektoratit Policor…

Lajme

09/07/2024 11:12

Policia e Kosovës ka marrë vendim për anulimin e konkursit të hapur për gradim për rreshter.

Nga Policia e Kosovës kanë njoftuar se me qëllim të eliminimit të të gjitha paqartësive dhe ruajtjes së kredibiliteit të procesit të cilat mund të zbehin imazhin e Policisë së Kosovës, si dhe bazuar në rekomandimet e Inspektoratit Policor të Kosovës, është marrë vendim për anulimin e këtij konkursi të shpallur më datën 12 shkurt 2024.

Ndryshe Policia bazuar në udhëzimin administrative për procedurën e gradimit për zyrtarë policorë, procedurën e standardeve të operimit, analizën e nevojave për personel të graduar sipas strukturës organizative dhe listës së personelit të autorizuar, sipas të cilit janë identifikuar mbi 350 pozita të lira për gradën rreshter, pas  një periudhe mbi 11 vjeç, më 12 shkurt ishte shpallur procesi i gradimit për gradën rreshter, personel kyç në mbikëqyrjen e vijës së parë dhe shërbimit sa më efektiv ndaj qytetarëve.

“Lidhur me këtë konkurs, Policia e Kosovës ishte angazhuar në përgatitjen dhe mbarëvajtjen e tërë procesit, duke angazhuar personel të mjaftueshëm si dhe duke caktuar komisionet mbikëqyrëse të të gjitha fazave të procesit të gradimit për gradën rreshter.Edhe pse i tërë procesi, përfshirë testimin me shkrim, ishte mirë i përgatitur dhe i organizuar, megjithatë pas shprehjes së disa pakënaqësive nga një numër i kandidatëve në këtë proces, Policia e Kosovës duke u bazuar në parimet e transparencës, etikës, vlerave themelore, integritetit profesional dhe besueshmërisë, ka angazhuar stafin policor në analizimin e procesit, gjithashtu është përfshirë edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i cili ka bërë një inspektim të jashtëzakonshëm të këtij procesi”,thuhet në njoftim.

“Bazuar në të gjeturat e stafit policor të angazhuar për analizim të procesit si dhe raportit të inspektimit të IPK-së, është vlerësuar se procesi ka qenë në përgjithësi i rregullt dhe mirë i organizuar, përjashtimisht disa procedurave dhe çështjeve teknike e administrative, për të cilat IPK-ja ka dhënë rekomandimet e saja.Andaj, me qëllim të eliminimit të të gjitha paqartësive dhe ruajtjes së kredibilitetit të procesit të cilat mund të zbehin imazhin e Policisë së Kosovës, si dhe bazuar në rekomandimet e IPK-së, Policia e Kosovës merr vendim për anulimin e konkursit për gradim në gradën rreshter të shpallur me 12.02.2024.Policia e Kosovës, bazuar në të gjeturat dhe rekomandimet e IPK-së, pas rishikimit të procedurave dhe implementimit të ndryshimeve dhe rekomandimeve të IPK-së, do të fillojë me të gjitha përgatitjet e nevojshme administrative dhe logjistike, që procesi i gradimit për rreshter të vazhdohet sa më parë që të jetë e mundur”.

Tutje është theksuar se Policia e Kosovës është organizatë transparente, llogaridhënëse dhe çdo gjë që mund të dëmtojë reputacionin apo të krijojë mosbesim të policëve e të publikut, do të punojë që ta ruajë dhe ta ngritë edhe më tej besueshmërinë e zyrtarëve të saj dhe publikut, duke ofruar transparencë, monitorim të procesit nga partner të jashtëm dhe mbikëqyrje të të gjitha proceseve.

Duhet përkujtuar se në këtë konkurs kanë marrë pjesë gjithsej 1 mijë e 749 zyrtarë. Nga ky numër i zyrtarëve policorë, 1 mijë e 481 e kanë kaluar testimin me shkrim./Lajmi.net/