Merkel po i integron në BE Shqipërinë dhe Serbinë, për t’i larguar nga ndikimi rus

Gazeta gjermane për biznes Deutsche Wirtschafts Nachrichten (DWN) në një artikull për vizitën e Kancelares Angela Merkel në Shqipëri dhe Serbi, ka shkruar se përkundër sfidave të mëdha me krizën në Greqi, Kancelarja Merkel ende po i mbahet premtimeve për integrimin e Shqipërisë dhe Serbisë në BE, “në mënyrë që të parandalojë që vendet të bien nën ndikimin e Rusisë.”

Bota

09/07/2015 18:36

“Sikur BE-së nuk i mjaftojnë problemet që i ka, Merkel i premton Shqipërisë dhe Serbisë anëtarësim në BE”, ka shkruar gazeta të martën, përderisa Kancelarja Merkel zhvillonte vizitën në Shqipëri.

DWN shkruan se Kancelarja e ka rritur përkushtimin ndaj vendeve të Ballkanit, dhe kjo mund të shpjegohet me faktin se vendet siç janë “Rusia, Turkia dhe Arabia Saudite po provojnë që të ushtrojnë ndikim në regjion.”

Gazeta i ka tërhequr vërejtjen kancelares për premtimet e saj, duke rikujtuar se “përfshirja e vendeve të reja në BE për shkak të arsyeve gjeopolitike bartë me vete një rrezik të madh.”

Sipas DWN Greqia hyri në BE me insistimin e SHBA-ve, dhe koha po tregon se asgjë e favorshme nuk ka dalur prej kësaj. /Indeksonline/