Merkel nuk pranon zbutjen e sanksioneve ndaj Rusisë

Angela Merkel nuk pranon të tërheqë vendimin për sanksione ndaj Rusisë. Ajo propozon që regjimi i sanksioneve t’i shtohet edhe liderëve separatist në lindje të Ukrainës.  

Bota

05/11/2014 16:19

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, thotë se nuk ka gjasë që Bashkimi Evropian do t’i zbusë sanksionet ekonomike kundër Rusisë, që janë ndërmarr për shkak të krizës në Ukrainë.

Duke folur para gazetarëve sot në Berlin, zonja Merkel tha se “nuk ekziston mundësi për lehtësimin ose tërheqjen e sanksioneve”.

Ajo ka theksuar, po ashtu, se liderët separatistë, që aktualisht janë inauguruar në pjesën lindore të Ukrainës, pas zgjedhjeve kundërthënëse, duhet t’i shtohen listës së sanksioneve të BE-së.

Kancelarja Merkel ka kërkuar që të respektohet armëpushimi i nënshkruar më 5 shtator në Minsk të Bjellorusisë, dhe theksoi se zgjedhjet, që janë njohur nga Moska, paraqesin shkelje të armëpushimit. /REL/