Merkel në Beograd për Kosovën

14:41 | 7 Korrik 2015

Merkel-Vuçiq, Foto Arkiv

Angela Merkel do të pritet me lule, kur të mërkurën pasdite mbërrin në Aeroportin e Beogradit. Më pas, pa humbur shumë kohë, ajo do të darkojë me kryeministrin Aleksandar Vuçiq.

Me shumë gjasë, ky i fundit, ka bërë gati folklor serb dhe ushqime tradicionale në tryezën për gjermanen, që e shtron në pallatin “Serbia”.

Por çfarë do të jetë ajo që Merkel do të hedh në po këtë tavolinë.

Me siguri që jo mjaltë e qumësht, siç thotë një fjalë popullore serbe.

Do të ketë diçka shumë më të hidhur në letrat e gjermanes.

Kosova, si pikë e parë.

Hapja e kapitujve fillestarë për negociata me BE-në, si e dyta.

Dhe, reforma ekonomike në shtetin nikoqir, si temë të tretë.

Por, e para është më e rëndësishmja. Dhe kur flitet për të, nuk ka asnjë dyshim se çfarë do të kërkojë mysafirja.

“Qëllimi kryesor i vizitës së kancelares Angela Merkel është të sigurohet bashkëpunimin për rrumbullakimin e pavarësisë së Kosovës”, shkruan agjencia ruse “Sputnik”, transmeton Klan Kosova.

Kjo pritet të bëhet, në masë të madhe, duke kërkuar pajtimin e Beogradit për Asociacionin e Komunave serbe në Kosovë.

“Merkel do të vazhdojë me presionin ndaj Beogradit që edhe më tepër të lëshojë pe nga vija e kuqe për sa i përket Zajednicës”, ka thënë Aleksandar Mitiq nga Qendra për Alternativa Strategjike.

Sipas tij, pak kohë më parë Merkel takoi zyrtarët kosovarë fakt ky që tregon se Berlini e Prishtina i kordinojnë punët mes vete shumë mirë.

E këta hapa, siç insiston Mitiq, janë bërë edhe me pajtim të Brukselit dhe Washingtonit, me qëllim që Beogradi të lëshojë pe edhe më tepër.

Një tjetër njohës i politikës serbe thotë se vizita e së mërkurës do të jetë shumë e rëndësishme për Vuçiqin, nga i cili kancelarja pret shumë.

“Vizita e mëhershme e Merkelit i kishte kushtuar shumë pushtetit të Boris Tadiqit pasi ai nuk ishte treguar mjaft kooperativ, nuk i kishte plotësuar kërkesat e Gjermanisë”, thotë kryeredaktori i gazetës.

Se Merkel pret shumë nga ai, e di edhe vetë kryeministri serb.

Por, Vuçiq është i bindur se mysafirja e tij do të ketë edhe “mjaltë e qumësht”, por jo kur të bëhet fjalë për Kosovën.

“Gjermania, para së gjithash, do të insistojë në dialogun e Brukselit dhe do të kërkojë të arrihen marrëveshje. Diçka kemi bërë, por jo gjithçka, pasi për tango duhen dy veta”, ka thënë ai, transmeton televizioni shtetëror, përcjellë Klan Kosova.

“Nuk e di se çfarë do të thotë, por jam i sigurt se do të jetë shumë e kënaqur me reformat ekonomike”.

Kur bëhet fjalë për këtë temë, Gjermania është njëri nga partnerët kryesorë ekonomikë për Serbinë. Shkëmbimi tregtar mes dy vendeve është 3.2 miliardë euro. Kompanitë gjermane kanë investuar 1.4 miliardë në Beograd e gjetiu. Këto shifra pritet të fryhen, sivjet dhe në të ardhmen.