Merkel: Ndërtimi i mureve s’ka kuptim

Kancelarja gjermane Angela Merkel gjatë qëndrimit të saj në Beograd ka thënë se ndërtimi i mureve në kufij nuk ka kuptim, dhe se BE-ja do t’u ndihmojë shteteve të Ballkanit Perëndimor për zgjidhjen e problemit me emigrantët

Lajme

08/07/2015 22:16

Kancelarja gjermane Angela Merkel pas vendimit të Hungarisë që në kufirin me Serbinë të ndërtojë një murë, ka deklaruar se një gjë e tillë nuk ka kuptim.

Ajo po ashtu ka thënë se Bashkimi Evropian do t’u ndihmojë vendeve të Ballkanit Perëndimorë që të zgjidhin problemet me imigrantët.

“Regjimi i BE-së për pranimin e imigrantëve nuk funksionon më, dhe çdo kohë më tepër po ngarkohet Serbia, por edhe Hungaria e cila është një shtet i vogël” ka thënë Merkel në konferencën e përbashkët me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq, shkruan Beta.

Ajo po ashtu ka shtuar se shpreson që së shpejti të gjendet një zgjidhje për përmirësimin e kësaj situate.

“Shpresoj që do të gjendet një zgjidhje” ka shtuar ajo, transmeton lajmi.net

Ndërsa Vuçiq ka thënë se Serbia nuk mund ta zgjidhë problemin e imigrantëve e vetme dhe se po bashkëpunon me njësitet policore të Austrisë dhe Hungarisë.

“Serbia nuk do të ngrish mure, sepse nuk besojmë në mure” ka thënë Vuçiq

Vuçiq kështu ka nënvizuar rëndësinë e punimeve preventive dhe ka përkujtuar se sot është hapur qendra për pranimin e emigrantëve në Preshevë.