Merkel, luftë urrejtjes ndaj hebrenjve

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ëshët zotuar  për të luftuar antisemitizmin, në një fjalim që mbajti pas shtimit të sulmeve kundër hebrenjve në Gjermani, gjatë konfliktit të kohëve të fundit në Gazë.

Bota

15/09/2014 11:13

Merkel foli në një demonstratë me temë “Kurrë më urrejtje ndaj hebrenjve”, të organizuar para Portës së Brandenburg-ut në Berlin, ku ishte e pranishme e gjithë elita politike gjermane, raporton Deutsche Welle.

Kencelarja theksoi se jeta e hebrenjve është pjesë e identitetit dhe kulturës gjermane.

Ajo tha se lufta kundër anti-semitizmit është një detyrë kombëtare dhe qytetare e Gjermanisë.

Merkel tha se kush sulmon dikë që vesh kapelën karakteristike të hebrenjve, e godet gjithë Gjermaninë.

Ajo po ashtu tha se ndjehet e lënduar kur dëgjon se prindërit hebre venë në pikëpyetje në se mund t’i rrisin fëmijët e tyre në Gjermani.

Deutsche Welle shkruan se Gjermania ishte përgjegjëse për Holokaustin, për Shoahan, për vrasjen e gjashtë milionë hebrenjve evropianë, dhe se këtu (në Gjermani) duhet të demonstrohet më me përkushtim, fuqi, vendosmëri kundër antisemitizmit se kudo tjetër.

Sipas sondazheve, në Gjermani rreth 20 për qind e njerëzve kanë ide apo stereotipe antisemite.

Ata janë të djathtë, të majtë, imigrantë myslimanë, gjermanë normalë nga mesi i shoqërisë, raporton Deutsche Welle.

“Në Gjermani, 75 vjet pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore, pas shfarosjes së hebrenjve, sinagogat duhet të mbrohen nga policia. Edhe kopshtet. Hebrenjtë me skufe në kokë duhet të llogarisin që mund t’i shajnë. Varrezat e tyre përdhosen. Kjo është një pjesë e realitetit të jetës hebre në Republikën Federale të Gjermanisë”.

Por, pavarësisht Holokaustit, pavarësisht antisemitizmit të perceptuar në jetën e përditshme, në Gjermani ka sërish një komunitet hebre. Çifutët nuk fshihen më, ata tregojnë vetëbesim. Edhe në tubimin e Berlinit, ata tregojnë emocione, nuk i pranojnë fyerjet, sharjet, janë pjesë e shoqërisë gjermane”.