Merkel e Nuland përballen me Ganimeten dhe Xhevairen, shkak Specialja

Kuvendi i Kosovës do të provojë sërish, sot, më 3 gusht, të miratojë vendimin e rrëzuar për ngritjen e Gjykatës Speciale në Kosovë, pasi u arrit të krijohet një shumicë e premtuar brenda shumicës parlamentare.

Lajme

03/08/2015 10:03

Mero Baze shkruan se dështimi i parlamentit të Kosovës për të miratuar ligjin që ngre Gjykatën Speciale në Kosovë, muajin e kaluar, u keqpërdor nga politika e Kosovës si një “Pazar i ngritur” ndaj Perëndimit, i cili u desh të arrihej pas një aksioni ndërkombëtar për “tu mbushur mendjen” politikanëve në Kosovë ta pranojnë atë në të mirë të Kosovës.

Sipas tij, kanë qenë disa mesazhe të ardhura nga BE-ja, Uashingtoni në këtë drejtim, të cilat u përforcuan me sugjerimet që zonja Nuland dhe Merkel dhanë gjatë vizitës në rajon.

“E gjitha kjo fushatë gati një mujore, në fakt ka qenë një hipokrizi. Në finale u pa se në votim po shkohet jo duke biseduar me Merkelin apo me Nuland, por Ganimeten dhe Xhevairen, të cilat janë ilustrimi i anonimatit të porositur në politikë:, shkruan Bazo.

“Refuzimi i Gjykatës Speciale nuk është vullnet i popullit, por i një pjese të politikës së Kosovës, e cila me apo pa të drejtë ndihet e kërcënuar politikisht nga ky institucion. Nuk them se ata nuk kanë të drejtën e tyre të sillen si deputetë, por ajo që humbet Kosova dhe ajo që humbasin ata, nëse humbasin, është dispropocionale. Kosova humbet shansin të ketë mbështetëse në këtë akt Perëndimin dhe sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Kosova humbet imazhin si një vend bashkëpunues me institucionet ndërkombëtare dhe forcon imazhin e një shteti të dështuar”, shkruan ai.

Ja vazhdimi i shkrimit të tij:

Refuzimi i Gjykatës, prodhon klimë besimi për gjitha akuzat dhe shpifjet në adresë të UÇK-së dhe Kosovës, lidhur me “krimet” e shqiptarëve ndaj serbëve dhe rrezikon të forcojë lidhjen e aleatëve të saj në Perëndim në rrugën drejtë anëtarësimit në OKB dhe njohjeve përfundimtare nga shtete ende të rëndësishme të BE-së.

Ata që humbasin nga kjo mund të jenë një grup njerëzish, të cilët mund të kenë probleme me karrierën e tyre politike, por jo me historinë apo vlerat e tyre për Kosovën.

Për këtë shkak, operacioni për rimiratimin e Gjykatës Speciale, nuk duhet të justifikohet me kaq shumë presion ndërkombëtar dhe as me kaq shumë paternalitet nga Tirana zyrtare. Ai është një vendim që konfirmon orientimin perëndimor të Kosovës dhe çdo përpjekje për të bërë “të vështirin” në këtë pikë, është goditja ndaj të vetmit imunitetet shtetëror të Kosovës.

Imitimi i një situate të vështirë për t’i thënë “Po” , Perëndimit në Kosovë, është hipokrizi dhe lojë politike për pushtet. Nëse Thaçi dhe Musatafa kanë vërtetë probleme me numrat në Kuvend le t’i drejtohen referendumit se shprehen qytetarët e Kosovës. Problemi është se referendumi u heq nga duart mundësinë për të bërë rolin e njerëzve të rëndësishëm në këtë pikë.

Siç e theksoi Nuland, Gjykata do të ngrihet ose nga Kuvendi i Kosovës, ose nga OKB-ja nëse këta refuzojnë. Si e tillë ajo është e pashmangshme si institucion, por njollosëse nëse refuzohet prej Kosovës. Në një farë mënyre Kosova duhet të zgjedhë mes disa dënimeve që mund të marrin ca individë, apo mes dënimit që do të marrë edhe Kosova, edhe këta individë.

Natyrisht që pragmatizmi politik kërkon dëmin më të vogël, por kjo nuk do të mjaftonte. Kosova nuk duhet të lërë asnjë shenjë se ka refuzuar një direktivë perëndimore për institucionet e saj. Nëse ka një gjë ku serbët investojnë seriozisht, është t’i marrin Perëndimin Kosovës, atë identitet, me të cilin Kosova i mundi në vitin 1999 dhe për të cilin nuk ka asnjë arsye ta humbasë në vitin 2015./ Gazeta Tema