Merkel: Ballkani nuk ka lider as Ramën e as Vuçiqin

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel ka thënë se shteti i saj dhe BE do ta mbështesin Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit në rrugën e integrimit në BE.

Lajme

08/07/2015 16:33

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, Merkel bëri të ditur se BE dhe Gjermania në veçanti, nuk i ndajnë popujt në bazë të përkatësive fetare, dhe se me këtë, nuk diskriminon shqiptarët, të cilët në shumicë i përkasin fesë myslimane.

Ndërsa, e pyetur lidhur mundësinë e krijimit të një lideri politik për rajonin e Ballkanit, dhe mundësisë që ai të jetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, apo atij serb, Aleksandar Vuçiq, Merkel me një kundërshtim të menjëhershëm, ka thënë se kjo nuk mund të ndodhë.

“Ideja për mospërfshirjen e myslimanëve në BE është totalisht e gabuar, pasi përveç në Shqipëri edhe në Gjermani ka shumë popuj me religjion mysliman”.

“Nuk ka lider që të jetë kompetentet për të gjitha gjërat në Ballkanit Perëndimor”, raporton lajmi.net.

Ajo ka folur edhe për reformat që Shqipëria duhet t’i ndërmarrë për nisjen e negociatave për anëtarsim në BE.

“Nuk ka afate të qarta në këtë proces, esenciale është përmbushja e standardeve dhe objektive. Duhet të hartohet një draft planesh dhe veprimesh”.

Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se shteti i tij do t’i përmbyllë në shtator plotësimin e kritereve për nisjen e këtyre negociatave.

“Ne kemi marr një zotim, që në fund të vjeshtës së këtij viti, ne do t’i plotësojmë të pesë kriteret për nisjen e negociatave, përfshirë edhe reformat në drejtësi. Në atë moment, ne mund të kërkojmë një datë për nisjen e këtyre negociatave”.

Ai ka shfaqur idenë për rrezikun që i kanoset Ballkanit nga rryma dhe ide të ndryshme ekstremiste, në rast se integrimi në BE vonohet.

“Nganjëherë cilësohemi jashtë mode, me tendencën për të hyrë në BE, por mendoj që është më shumë jashtë mode të përfshihemi në turbullira tjera që e ndërrojnë historinë”.

“Çelja e negociatave për anëtarësim në BE për Shqipërinë, do t’i përgënjeshtronte zërat që thonë se shqiptarët nuk janë të krishterë dhe do t’i hapte më shumë mundësi”, ka thënë Rama.(lajmi.net)