“Merkato” e deputetëve e ngushton dallimin mes LDK-së dhe PDK-së

Grupi Parlamentar i LDK-së, i cili për nga numri i deputetëve është i dyti në Kuvend, pas atij të PDK-së, nga lëvizjet e fundit të disa prej deputetëve, ka gjasa të barazohet me atë të partisë partnere në koalicionin qeverisës.

Lajme

14/02/2015 10:55

Dallimi në rezultatet e zgjedhjeve të 8 qershorit të vitit të kaluar, i cili ishte i dukshëm në mes të partisë fituese (PDK-së) dhe të  LDK-së, si partia e dytë, duket se po shkrihet ngadalë.

Këtë po e mundësojnë ndryshimet që u bënë pas konstituimit të Kuvendit, ku lëvizjet e disa deputetëve, po bëjnë që dallimi në mes të dy partnerëve në koalicionin qeverisës, për nga numrat e ulëseve në Kuvend, të jetë shumë më i vogël.

LDK pas zgjedhjeve të fundit nacionale numëronte 30 deputetë, ndërsa tani, 8 muaj pas zgjedhjeve parlamentare, numri i tyre është rritur në 33.

E në anën tjetër, PDK, e cila doli e para në zgjedhje, në bazë të votave, kishte fituar 37 ulëse në Kuvend, por tani ka zbritur në 35, si pasojë a rrjedhjes së disa prej deputetëve nga ky grup paralamentar.

Këto ndryshime, gjithashtu i bëri të mundshme kalimi i disa deputetëve të pakicave dhe të AAK-së në GP të LDK-së.

Diferenca mes këtyre dy partive, do të mund të ngushtohet sërish, apo edhe të mos ekzistojë fare (të barazohen), nëse ndodhë kalimi edhe i dy deputetëve tjerë të AAK-së në LDK. (Lajmi.net)