‘Merimangat elektrike’ të Prishtinës

Kabllot elektrike u japin pamje të shëmtuar rrugëve e lagjeve të kryeqytetit. Përveç kësaj, banorët pengohen në lëvizje nga shtyllat e vendosura edhe në mes të trotuareve, por edhe rrezikohen nga kabllot e shumta e të vjetruara, që kanë pamjen e një rrjete të formuar nga merimangat.

Lajme

30/05/2014 11:59

Në vend që këto kabllo të futen në tokë, të paktën kur sanohen e shtrohen rrugët e reja, ato mbesin ashtu sikurse janë vendosur dekada më përpara, si pasqyrë, pjesë e shëmtuar e infrastruktures sonë.

As askush nga organet kompetente, Komuna as Korporata Elektro-energjetike e Kosovës, nuk kanë bërë përpjekje për të ndryshuar këtë gjendje që në shumë lagje, duket e shëmtuar, por  edhe trishtuese kur i shikon telat e varur që kalojnë nga shtylla në shtyllë, përmbi rrugë, apo edhe nga ballokoni në ballkon.    

Organi më kompetent për këtë çështje, KEDS, pohon se po punohet në ndërrimin e shtyllave që të eliminohen rreziqet.

Zëdhënësi kësaj kompanie, Guri Shkodra, ka pranuar për lajmi.net se shtyllat janë të vjetruara me mbi 30-40 vjet, por siç thotë ai, ata kanë ndërmarrë të gjitha hapat që gjendja aktuale e rrjetit të mos paraqet rrezikshmëri për qytetarët.

“Jemi duke punuar vazhdimisht në ndërrimin e shtyllave të vjetra dhe në eliminimin e rreziqeve. Zyrtarë të KEDS kanë draftuar projekte realizimi i të cilave do të fillojë së shpejti. Përmes planeve të investimeve, KEDS do të adresojë çështje që kanë të bëjnë me rrjetin elektrik në mjediset ku siguria publike rrezikohet”.

Shkodra fajin e mosrregullimit të deritanishëm të këtij problemi ia lë KEK-ut, ngase, sipas tij, gjendja e kabllove dhe shtyllave që shihet nëpër qytet është gjendje e trashëguar.

“KEDS ka trashëguar rrjet në gjendje jo të favorshme dhe ka intensifikuar planin e investimeve me qëllim të përmirësimit të gjendjes sidoqoftë kthimi i tij në gjendje normale kërkon kohë më të gjatë”.

Por, deri kur do të vazhdojë një gjendje e tillë, Shkodra nuk ka sjellë ndonjë datë, veçse ka thënë se shumë shpejtë, këto probleme do të minimizohen ose zhduken krejtësisht.

“Kërkojmë ndjesë nga të gjithë konsumatorët dhe shpresojmë që shumë shpejt probleme të tilla do të minimizohen dhe / ose zhduken fare”, ka thënë ai për lajmi.net.

Se kur do të përmirësohet infrastruktura e shpërndarjes së energjisë elektrike mbetët të shihet, por rreziku nga rrëzimi i shtyllave është permanent. Një aksident, prekje e vogël me veturë e një shtylle, në disa raste të vendosura edhe në mes të trotuarit mund të jetë fatal për kalimtaret e rastit.

Javën e kaluar kur një kamion i ra një shtylle elektrike, kabllot u këputen dhe ranë nëpër rrugë dhe në oborrin e një shtëpie, por kësaj radhe për fat nuk kishte të lënduar.