Mërgimtarët tonë sërish në hall, në Merdare pritet 4 orë

Në pikëkalimet kufitare me Serbinë,  Merdare dhe Dheu i Bardhë, përsëri janë krijuar kolona dhe pritje të gjata në dalje nga Kosova.

Lajme

31/08/2014 13:38

Departamenti i Policisë Kufitare, megjithë shtimin e personelit dhe aplikimit të punës së kontrollit kufitar të përshpejtuar, informon se të dielën (31.08.2014), në pikëkalimin kufitar Merdare dhe Dheu i Bardhë janë krijuar kolona me pritje të gjata në dalje të Republikës së Kosovës për në Serbi.

Informacionet e ditës se sotme të orës 11:30 tregojnë se në Merdare në dalje kolona është e gjatë dhe pritja zgjat rreth 4 orë. Ndërsa në pikë-kalimin Dheu i Bardhë pritjet janë rreth 1 orë .

Policia e Kosovës, me qëllim të shmangies së pritjeve të gjata, apelon në shfrytëzimin  më të madhe të pikë-kalimeve tjera kufitare, ku nuk ka kolona dhe pritje të gjata, duke përfshirë edhe pikëkalimin kufitar Mutivodë, në drejtim të fshatit Keqekollë, ku pritet 10-15 minuta.

Sipas Policisë Kufitare të Kosovës, kolonat janë duke u shkaktuar si rezultat i fluksit të madh të automjeteve, si dhe procedurave që aplikohen gjatë plotësimit të dokumenteve-formularëve përkatës nga autoritetet serbe.