Mërgimtarët kalojnë me letërnjoftime të Kosovës nëpër Serbi

Sipas marrëveshjes dypalëshe të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, si dhe në bazë të informatave nga Policia së Kosovës, të gjithë bashkatdhetarët që udhëtojnë për në Kosovë, e të cilët posedojnë letërnjoftime apo certifikata të lindjes (për të miturit) së Kosovës, mund të udhëtojnë transit nëpër Serbi.

Lajme

14/08/2014 18:10

Në një njoftim të Ministrisë së Diasporës thuhet se qytetarëve iu duhen këto dokumente vetëm në dy pika të kalimit kufitar: në Horgosh të Republikës së Hungarisë dhe atë Batrovci në Republikën e Kroacisë.

Ndërsa në të gjitha vendkalimet e tjera kufitare, sikurse ai në Kelebija, e që shfrytëzohet edhe nga diaspora kosovare, mund të udhëtohet duke prezantuar dokumente valide të udhëtimit (pasaportë) të lëshuar nga shteti ku ata jetojnë.

Ndryshe, kjo është mbështetur në bazë të Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë e cila është arritur më 2 korrik 2011 në dialogun teknik të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.