Mendon për Prishtinën e Gjakovën

Behgjet Pacollit ia merr mendja se dy kandidatë të kësaj partie, pas 3 nëntorit, do të ulen në karrigën e Kryetarit të Komunës ku ata garojnë. Korab Sejdiu dhe Mimoza Kusari-Lila janë shpresa e Liderit të AKR'së për zgjedhjet lokale.

Lajme

16/09/2013 08:55

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, është i bindur se kjo parti do të fitojë në Prishtinë dhe Gjakovë, ku kandidon me Korab Sejdiun dhe Mimoza Kusari-Lilën.

Në një intervistë për “Epokën e Re”, Pacolli thotë se ka ardhur koha që idetë dhe vizioni i AKR’së të jetësohen në Republikën e Kosovës.

“Duke u bazuar në përkrahjen e madhe të elektoratit që e kemi në këtë qytet dhe në kandidatin për Kryetar, Korab Sejdiu, është e natyrshme që Prishtinën në mandatin e ardhshëm do ta qeveris AKR”.

“I kemi mundësitë e mëdha për ta fituar Gjakovën. Këtë komunë, siç dihet, ne një herë e kemi fituar, por është keqtrajtuar vota e qytetarit dhe tash qytetari është bindur se është keqtrajtuar, se është vjedhur vota e tij.”

“Në këtë komunë ne kemi të njëjtën kandidate, Mimoza Kusari-Lila, e cila për mua është femra më e votuar në Kosovë, është femra më punëtore në Kosovë, është femra më e sinqertë në Kosovë, sepse nuk mund të jesh i sinqertë nëse nuk je punëtor. Këto të dyja shkojnë bashkë”.

“Momoza ka kapacitete për ta udhëhequr këtë komunë. Dhe që sot mund të them se fituese e zgjedhjeve në Gjakovë do të jetë Mimoza Kusari-Lila, e cila në të ardhmen do ta udhëheqë Gjakovën me dinjitet”, ka deklaruar Pacolli, për “Epokën e Re”.