Memushaj zbulon pse De Biasi do të jepte dorëheqje

Mesfushori i Kombëtares shqiptare të futbollit Ledian Memushaj ka sqaruar se De Biasi mund të jepte dorëheqjen nëse FSHF do të lejonte aktivizimin e tij në ndeshjen e fundit me Peskarën, një ditë para fillimit të Europianit në Francë.

Sport

07/06/2016 19:21

Memushaj ishte një ndër futbollistët më të përfolur pas listës përfundimtare të 23 lojtarëve që shpalli De Biazi, pasi aktivizimi i tij me klubin e Peskarës e pengonte nga stërvitja me kuqezinjtë në prag të Europianit.

“Humba një vit të jetës sime për të bindur De Biasin që të më lejonte të luaja për ndeshjen e parë. Nuk ishte shumë i lumtur të më shihte sërish me klubin, duke parë që më 11 qershor do të luajmë në Kampionatin Europian. Besoj se nëse federata do të më lejonte të zbrisja në fushë të enjten, De Biasi do të ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen”,-ka thënë Memushaj sipas portalit “Ilcentro”, transmeton Panorama Sport.

Më herët, klubi i Peskarës falënderoi Kombëtaren shqiptare të futbollit dhe trajnerin Xhani De Biasi që i mundësoi Ledian Memushajt të luante dy ndeshje të play-off për ngjitjen në Serinë A.

Mesfushori Memushaj u lejua të luante ndaj Trapanit, falë edhe ndërhyrjes së presidentit të FSHF-së, Armand Duka.

Për këtë të fundit mediat italiane kanë shkruar se ka njohje me drejtues të klubit të Peskarës dhe është i lidhur edhe me çështje biznesi në këtë qytet. Por për aktivizimin e tij në ditët e fundit të Europianit duket se nuk ka qenë darkod De Biasi, i cili i ruhej një dëmtimi të mundshëm të futbollistit.

Parashikoni ndeshjet e EURO 2016 dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy Note 4.