Memli Krasniqi i dorëzon detyrën Kujtim Shalës

Memli Krasniqi e ka uruar ministrin e ri Shala për marrjen e detyrës dhe i ka dëshiruar mbarëvajtje të punës, arritje të objektivave dhe realizim me sukses të projekteve në kuadër të periudhës që ai do të udhëheqë me MKRS-në.

Sport

12/12/2014 18:38

Memli Krasniqi ia ka dorëzuar sot detyrën e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Kujtim Shala.

Krasniqi e ka uruar ministrin e ri Shala për marrjen e detyrës dhe i ka dëshiruar mbarëvajtje të punës, arritje të objektivave dhe realizim me sukses të projekteve në kuadër të periudhës që ai do të udhëheqë me MKRS-në.

Ai e ka informuar ministrin Shala për të arriturat gjatë këtyre katër viteve si dhe me sfidat që është përballur ai gjatë kësaj periudhe.

Krasniqi ka përmendur progresin në kulturë, me rritjen e përkrahjes për organizimet kulturore në vend, mbështetjen e institucioneve vartëse të MKRS-së, mbështetjen e festivaleve dhe organizimeve tjera kulturore, ku secilin vit, buxheti për kulturë vazhdimisht është rritur.

Po ashtu, ai i përmendi rezultatet në promovimin e skenës kulturore të Kosovës duke veçuar pjesëmarrjen në ngjarjet më të rëndësishme të kulturës në botë.

Krasniqi ka theksuar se ka pasur arritje të mëdha në sport, me pranimin e shumë federatave të Kosovës në kuadër të federatave përkatëse evropiane e botërore duke kulmuar me pranimin e Komitetit Olimpik të Kosovës si anëtar me të drejta të plota në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.