“Mekaniku” prangos katër kosovarë me drogë në Austri

Operacioni policor i emërtuar “Mekaniku” (origjinal, në gjuhën shqipe!) ka zbuluar grupin kosovar të cilit i ngarkohet tregtia me drogë me vlerë prej 900 mijë eurosh.

Bota

22/04/2014 21:34

Policia austriake njofton për suksese të saj në zbulimin dhe kapjen e tri rrjeteve të mëdha kriminele nga vende të ndryshme të Ballkanit. Mediet e atjeshme i japin publicitet të madh këtyre zhvillimeve dhe shkruajnë gjerësisht për to. Bëhet fjalë për zënien e një grupi tregtarësh me drogë nga Kosova, një grupi plaçkitësish të argjendarive nga Serbia dhe një grupi tjetër tregtarësh me armë nga Bosnja. Të gjitha këto grupe një pjesë të krimeve të tyre i kishin kryer në Austri ose Austrinë e kishin destinacion të fundit të “veprimtarisë” së tyre, shkruan Albinfo.ch

Operacioni i emërtuar “Mekaniku” (origjinal, në gjuhën shqipe!) është marrë me  grupin e drogës nga Kosova. Pas një bashkëpunimi intensiv në mes të policive të Austrisë, Gjermanisë, Zvicrës dhe Kosovës, është kapur banda prej katër personave në Schandorf. Te ata janë gjetur 88.3 kilogramë drogë e tipit kanabis (marihuanë), që në tregun e zi do të kushtonte rreth 900 mijë euro, shkruan agjencia austriake e lajmeve APA.

Njerëzit e përfshirë në këtë biznes, në mesin e të cilëve edhe një baba me të birin e tij 18 vjeçar, në një punëtori automekanike në Prishtinë, e kanë futur kanabisin në vetura të vjetra dhe me to është bartur droga në gjithë Evropën. Aq mirë e kanë paketuar (me vakuum), sa as qentë gjurmues të policisë nuk kishin mundur ta nuhatin. Vetëm përgjimet e telefonatave, të bëra për një kohë të gjatë, kanë bërë të mundur zbulimin e bandës dhe pastaj edhe çmontimin e dyshemeve të dyfishta të veturave ku ata kishin fshehur drogën.

Se grupi nga Kosova ishte i “kalibrit të lartë” tregon edhe ky fakt: për të bërë shpërndarjen e drogës, ata kishin marrë me qira një punëtori automekanike në Schandorf. Për këtë punëtori ata i kishin paguar pronarit përnjëherë dhe paraprakisht 300 mijë euro. Ky i fundit nuk dinte për bizneset e qiramarrësve të tij.

Më 11 prill policia goditi grupin duke arrestuar katër persona, tre kosovarë dhe një shtetas të Serbisë. Tri javë para kësaj, në Kosovë ishte konfiskuar një sasi prej 110 kilogramësh drogë që i atribuohet po këtij grupi.