Mehmeti: Kryqe ngado sheh, kurse ju flisni për radikalizëm islamik

Mos u merrni me atë që nuk ekziston, por përballuni me problemet që ka ky vend, i cili kalbet nga brenda, tha publicisti e shkrimtari shqiptar, Kim Mehmeti lidhur me ngjarjet e fundit në Maqedoni. 

Lajme

06/07/2014 13:33

Analisti Kim Mehmeti, gjatë edicionit qendror të lajmeve të televizioni “Telma”, nuk ka lënë pa komentuar ndodhitë e ditëve të fundit në Maqedoni.

“Vëllazëria mes VMRO – DPMNE-së e BDI-së është realizuar plotësisht dhe ata nuk gënjejnë kur thonë se në Maqedoni ka harmoni ndëretnike, ngaqë Maqedonia ku jetojnë ata është shumë e begatë, ajo u ofron atyre vetura nga më të shtrenjtat, tenderë, u ofron pasurim të pafund për katër vite”, tha ai.

Mirëpo, sipas Mehmetit, Maqedonia “ku jetojnë ne shqiptarët e thjeshtë, është krejtësisht një Maqedoni tjetër”.

“Ajo është Maqedonia që të dënon pa ofruar fakte, siç ndodhi me rastin ‘Monstra’, kur ministrja e Brendshme Jankullovska doli e tha se ka arrestuar torroristë islamikë dhe vrasësit e viktimave, dhe këtë e bëri ende pa arritur ata te pragu i gjykatës, me çka ua shqiptoi dënimin qysh para dy vitesh”, tha Mehmeti duke iu përgjigjur pyetjes se si i vlerëson deklaratat e partive qeveritare se marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni janë të mira.

I pyetur nëse BDI-ja a e ka nën kontroll situatën dhe si e vlerëson komunikatën e kësaj partie për qetësim të situatës, Kim Mehmeti tha se BDI-ja ka nën kontroll vetëm listat e votuesve e asgjë tjetër dhe shpreh habi se pse kjo parti u drejtohet shqiptarëve me komunikatë, përderisa asaj i bie në hise ta qetësojë situatën, asaj i bie në hise të del e t’u shpjegojë shqiptarëve se pse dhe si ata dënohen.

Në pyetjen se pse protestat organizohen pas faljes së namazit, dhe mos vallë kjo paralajmëron një radikalizëm islamik, Mehmeti u përgjigj:

“Më flitni për radikalizëm islamik këtu ku ngado që e kthej kokën shoh kryqe gjigant, këtu ku edhe ujin, edhe ajrin, edhe tokën, edhe gurë-themelet e objekteve që ndërtohen edhe me paratë tona, për çdo ditë, në prani të pushtetarëve, shenjtërohet nga ndonjë prift ortodoks, por unë megjithatë nuk flas për radikalizëm ortodoks! Andaj mos u merrni me atë që nuk ekziston, por përballuni me problemet që ka ky vend, i cili kalbet nga brenda”, është përgjigjur Mehmeti, transmeton Almakos.