Megjithë premtimet, sivjet pa rritje të ndihmave sociale

Pavarësisht nga premtimet parazgjedhore të liderëve partiakë për zhvillimin ekonomik dhe përmirësim të mirëqenies, gjendja sociale e familjeve të varfra do të mbetet e pandryshuar. Shuma mujore e ndihmës sociale që marrin nga shteti, nuk parashihet të rritet gjatë këtij viti, thonë zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Lajme

18/05/2014 10:33

Zhvillimi ekonomik, punësimi dhe përmirësimi i mirëqenies sociale të banorëve të Kosovës janë në fokus të premtimeve të liderëve të partive politike në fushatën parazgjedhore. Por, përmirësimi i mirëqenies sociale të familjeve të varfra që jetojnë me ndihmë sociale nuk mund të bëhet me ndihmat që aktualisht marrin nga shteti.

Njëri ndër përfituesit e ndihmës sociale, Zymer Krasniqi, nga Prishtina, ankohet për shumën e vogël që merr krahasuar me nevojat që ka familja e tij, raporton Radio Kosova.

“Të ardhura kam vetëm ndihmën sociale, 75 euro, veç Zoti e di se nuk e beson as qeveria dhe askush tjetër si mundet një familje me gjashtë anëtarë të jetojë me 75 euro në muaj. Që nuk na ndihmon edhe dikush prej të afërmve tonë, është katastrofë për neve”.

Krasniqi kërkon nga qeveria e ardhshme që të përkujdeset më shumë për personat që jetojnë me ndihma sociale, dhe të rrisë shumën që ndahet për këto familje. “E porosis qeverinë që të përkujdeset për asistencën sociale, sa më shpejtë dhe sa më mirë, të rritet sociali dhe të na sjellin edhe ndihmë tjetër”.

Me qëllim të mbështetjes së familjeve të varfra, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ofron skemën e asistencës sociale. Udhëheqësi i kësaj skeme, Fehmi Ibrahimi, thotë për Radio Kosovën se në prill ndihma sociale kanë marrë rreth 29 mijë e 750 familje, me mbi 123 mijë anëtarë.

“Shuma mujore e ndihmës sociale për një familje përcaktohet në bazë të numrit të anëtarëve të familjes. Me Ligjin e skemës së ndihmës sociale, shuma minimale mujore që përfiton një familje është 40 euro, kurse shuma maksimale 120 euro”, thotë ai.

Por rritja e ndihmës sociale për familjet përfituese nuk parashihet të ndodhë këtë vit, thekson Ibrahimi. “Aktualisht shuma e ndihmës sociale për vitin 2014 nuk planifikohet të rritet, ngase buxheti për këtë vit është planifikuar që më parë dhe për ndihma sociale arrin në 27 milionë e 200 mijë euro”,

Por, sipas Ibrahimit, përveç ndihmës sociale, çdo person nga 0 deri në 18 vjeç përfiton nga 5 euro shtesë, dhe njëkohësisht familjet e skemës sociale shfrytëzojnë edhe një subvencionim të energjisë elektrike, deri në 400 kilovat orë brenda muajit.