Megjithë paralajmërimet, Remzi Shala i vendosur mos t’i përgjigjet ftesës së Speciales

Ish-ushtari i UÇK-së, Remzi Shala, i njohur me nofkën “Molla e Kuqe”, po vazhdon të jetë në arrati që nga koha kur atij i erdhi ftesa për intervistim nga Gjykata Speciale.

Lajme

04/01/2019 22:03

Avokati i tij, Natal Bullakaj, tha gjatë ditës së djeshme se as ai e as familja e Remzi Shalës nuk janë në dijeni për vendndodhjen e ish-ushtarit të UÇK-së, raporton lajmi.net.

Avokati Tomë Gashi, tha për lajmi.net se arratisja e Remzi Shalës mund të shërbejë si precend  nga Gjykata Speciale për të ftuarit e tjerë.

Lexo edhe:

Ikja e Remzi Shalës mund t’i kushtojë ‘shtrenjtë’ të ftuarve të tjerë nga Specialja

Sipas tij, të njëjtit mund të arrestohen dhe të dërgohen në paraburgim, sepse ekziston bindja se ata mund t’i ikin thirrjes nga kjo gjykatë.

E megjithatë, Remzi Shala siç duket nuk e ka ndërmend të dorëzohet.

Të afërm të tij, i kanë thënë sot lajmi.net se Shala nuk do t’i përgjigjet ftesës së Speciales.

Ata thonë të kenë kontaktuar me të, dhe se i njëjti u ka thënë se është i vendosur të qëndrojë në arrati.

“Kemi kontaktuar me të. Krejt çka mund të themi është se ai është i vendosur mos t’i përgjigjet Gjykatës Speciale. Ne i kemi kërkuar të paraqitet, por është vendim i tij”, ka thënë një i afërm i Shalës.

E pikërisht për arratisjen e Shalës, pasoja ka paralajmëruar edhe vetë Specialja.

Në një përgjigje për lajmi.net nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, janë paralajmëruar pasoja ligjore për të gjithë ata që nuk i përgjigjen ftesave.  /Lajmi.net/

Lexo edhe:

Ekskluzive: Specialja flet për arratisjen e Shalës, paralajmëron pasoja për ata që nuk i përgjigjen ftesave