Mediumi boshnjak publikon përmbajtje të një “non-paper” austriak, kjo është strategjia për anëtarësimin e Ballkanit në BE

Portali boshnjak "Klix.ba" ka shkruajtur se posedon një non-paper austriak të quajtur "Zgjerimi i Bashkimit Evropian dhe Politika e Fqinjësisë përtej modeleve ekzistuese", i cili propozon ndër të tjera anëtarësimin "gradual" të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

Lajme

07/06/2022 12:36

Siç raporton Blix.ba, në dokumentin e shkruar në maj të vitit 2022, në fillim thuhet se agresioni rus në Ukrainë ka ndryshuar rrethanat gjeopolitike, ka rrezikuar politikën e “Fqinjësisë Lindore” të Bashkimit Evropian dhe mund të ketë pasoja negative për stabilitetin e Ballkanit, shkruan lajmi.net.

“Ne duam dhe kemi nevojë për vendet e këtij rajoni në anën tonë. Ata janë një partner kyç dhe një pjesë integrale e familjes sonë evropiane. Për këtë arsye, ne duhet të rimendojmë qasjen tonë ndaj procesit të zgjerimit dhe politikës sonë fqinjësore”, thuhet në raportimin e medias boshnjake.

Nonpaper austriak sipas këtij mediumi thotë se zgjerimi i Bashkimit Evropian duhet të përdoret si një instrument gjeostrategjik dhe jo thjesht procedurë burokratike. Ata theksojnë se procedura aktuale e zgjerimit nuk ka dhënë rezultate të rëndësishme.

Aty theksohet gjithashtu se duhet të shikohet përtej mjeteve aktuale për zgjerim dhe të zhbllokojnë potencialin e pashfrytëzuar përmes integrimit gradual të këtyre vendeve.

“Në rrugën drejt anëtarësimit të plotë, ne duhet të krijojmë mundësi për integrimin gradual të këtyre vendeve në fushat me përfitim të veçantë për to”, thuhet në këtë dokument, sipas Blix.ba.

Prandaj, aty siç shkruan media boshnjake propozohet: integrimi progresiv në tregun e vetëm përmes, për shembull, transportit të lirë të mallrave, uljes dhe heqjes së tarifave doganore, që do të përfshinin produktet bujqësore dhe lëvizjen e lirë të punëtorëve.

Pjesë e qasjes graduale sipas këtij plani të pretenduar do të ishte përfshirja në politikat tregtare dhe tatimore të orientuara drejt së ardhmes, pjesëmarrja në politikat e BE-së për klimën dhe energjinë, përfshirja në rrjetin trans-evropian të transportit, përfshierja e plotë në programet e BE-së në fushat e shkencës, arsimit dhe kërkimit, pjesëmarrjen në politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, rritjen e përfshirjes në misionet e politikës së përbashkët të sigurisë së mbrojtjes të BE-së, pjesëmarrjen në Programin Evropian të Krizave Ushqimore dhe Mekanizmin e Reagimit dhe pjesëmarrjen në agjencitë e Bashkimit Evropian.

Vetë procesi i anëtarësimit gradual do të ishte rigoroz dhe i bazuar në ndryshime të matshme. Qasja graduale në fondet e BE-së do të përdoret si mjet bazë për të inkurajuar reformat. Gjithashtu, do të lihej mundësia e anulimit të disa përfitimeve në rast të devijimit nga rruga evropiane.

Në këtë dokument, sygjerohet gjithashtu që në hap të parë, vendet e Ballkanit të ftohen vazhdimisht në takimet jozyrtare të Keshillit të BE-së, për të diskutuar fushat me interes të përbashkët. Përveç kësaj, një samit BE-Ballkani Perëndimor do të organizohet çdo vit.

Së fundi, ata thonë se procesi i propozuar i pranimit gradual në BE mund t’u ofrohet fqinjëve të tjerë të Bashkimit Europian për të formuar një bashkëpunim të ri hap pas hapi.

Propozimi për anëtarësim gradual në Bashkimin Evropian nga non-paperi austriak nuk është propozimi i parë me përmbajtje të ngjashme, shkruan Blix.ba. /Lajmi.net/