Mediat serbe: UÇK deshi ta vriste kushëririn e Edi Ramës në magjistralen Gjilan-Prishtinë

Që nga rasti i dronit mbi stadiumin e Partizanit në ndeshjen e futbollit Serbi - Shqipëri, dhe më pas vizitës në Beograd, kryeministri shqiptar Edi Rama, është bërë personazh interesant për mediat serbe. Ato kanë vazhduar me spekulime duke përdorur emrin e tij, saqë sot kanë raportuar se në magjistralen Gjilan-Prishtinë, Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK) ka tentuar ta vrasë një kushëri të tij, duke inskenuar një aksident trafiku.

Lajme

03/06/2015 15:00

Portali serb “Vesti-Online”, ka raportuar sot se në rrugën magjistrale Gjilan-Prishtinë në natën mes të hënës dhe të martës ka ndodhur një aksident rrugor në të cilin është përfshirë një kushëri i afërt i kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, transmeton lajmi.net.

Aty thuhet se personi i përfshirë në këtë aksident është Arben Rama, një kusheri i afërt i kryeministrit shqiptar.

Me tej artikulli vazhdon duke thënë se detajet këtij aksidenti mbeten të paqarta, por sipas burimeve të tyre, aksidenti ishte planifikuar nga veteranët e UÇK-së, me arsyetimin se gjoja kanë mbetur të pakënaqur nga qëndrimi i Edi Ramës për zhvillimet e fundit në Goshincë dhe Kumanovë.

Ndërsa, në anën tjetër, për ta vërtetuar edhe më tepër se ky lajm i medieve serbe, nuk është asgjë tjetër veçse një spekulim i pastër, lajmi.net ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës, për të verifikuar që të paktën nëse ndonjë i afërm i kryeministrit shqiptar, kishte pësuar aksident trafiku në ndonjë rrugë të Kosovës.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka thënë për lajmi.net, se asnjë asnjë aksident trafiku, me protagonist të afërmit e kryeministrit shqiptar nuk është raportuar në ketë ndodhur në rrugët e Kosovës. Për më tepër Kelani, ka thënë se aksident trafiku në kohën e cekur, në gjithë magjistralen Gjilan – Prishtinë, nuk ka pësuar askush me mbiemrin Rama, qoftë ai nga Shqipëria, Kosova apo ndonjë vend tjetër.

Mediet serbe spekulimin për këtë aksident dhe lidhjen e tij me UÇK-në e bëjnë bazuar në ngjarjet e fundit në Kumanovë. Sipas tyre disa nga anëtarët e grupit të kosovarëve që kanë marrë pjesë në konfliktin e Kumanovës kanë pasur marrëveshje me agjentë maqedonas që këto zhvillime të ndodhin pa gjakderdhje, dhe pa konflikt armësh. Sulmi mbi një stacionin policor më 21 prill sipas tyre ka shkuar sipas planit, por e njëjta nuk kishte ndodhur në ngjarjen e 9 majit. Sipas tyre, njëri nga anëtarët e grupit të armatosur që nuk ka qenë në dijeni për marrëveshjen e arritur mes personave të grupit dhe agjentëve maqedonas ka hapur zjarr në drejtim të policisë, akt i cili ka sjellë pastaj edhe konfliktin që la të vdekur 10 persona nga grupi i armatosur dhe 8 policë të Maqedonisë, duke përfshirë edhe arrestimin e mbi 20 pjesëtarëve të grupit. (lajmi.net)