Mediat serbe: Shqiptarët e zgjidhin vetë fatin e Trepçës

Mosprivatizimi i Trepçës, sipas mediave serbe, vlerësohet si veprim i Qeverisë së Kosovës që ta marrin pronësinë nga serbët. Ministri Fadil Ismajli thotë se Trepça duhet të jetë ndërmarrje publike.

Lajme

03/02/2014 17:30

Shteti i Kosovës ka propozuar që Trepça të jetë ndërmarrje shtetërore, edhe pse Beogradi dhe Prishtina kanë ngecur në zgjidhjen e këtij problemi për të cilin presin bisedohet gjatë Dialogut në Bruksel, raportojnë mediat serbe.

Arsyeja më e mundshme e heqjes dorë nga shitja e këtij gjiganti metalurgjik janë borxhet e mëdha, që kërkohen nga kreditorët.

Ministri i Kosovës për Zhvillim Ekonomik, Fadil Ismajli, ka bërë të ditur për mediat serbe se Qeveria në Prishtinë në bazë të ligjit për ndërmarrjet publike ka përcaktuar se Trepça duhet të jetë ndërmarrje publike.

“Kjo është rruga më e shpejtë e mundshme që Trepça të merret nga Agjencia Kosovare e Privatizimit e cila nuk ka kapacitetet që këtë ndërmarrje ta trajtojë si kompleks”, ka thënë Ismajli.

Kurse, sipas zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Serbisë, në bazë të  Fondit për Zhvillim të Serbisë, ka nën pronësi 58 për qind të Trepçës.

“Përveç shtetit serb, pronarë janë edhe Jugobanka, Progres, si dhe punëtorët që marrin përqindje”, ka thënë për Vesti, Igor Popovic, shefi i grupit për drejtësi pranë Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën.

“Ky subjekt i rëndësishëm ka ndikim në Veri, në pjesën serbe dhe nuk duhet ta ndryshojë statusin e saj. Trepça ka aksione dhe ato u takojnë pronarëve të saj, dhe nuk është në rregull të merret prona e huaj, kjo është vetëm një hajni e thjeshtë ku nuk përmenden as palët e dëmtuara”, ka shtuar Popovic.

Ndryshimin e pronësisë së Trepçës e përkrah ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, i cili cilëson se është mirë që prona e Trepçës të mbetet nën Qeverinë kosovare. Kjo deklaratë e shqetëson më së shumti Popovicin, sepse Britania e Madhe njihet si shtet me traditë të lashtë dhe ruajtjen e pronës.

Trepça para 30 vjetësh ka pasur më shumë se 20.000 punëtorë, e sot i ka rreth 1.500 punëtorë të nacionalitetit shqiptar dhe 1.000 të nacionalitetit serb, të cilët punojnë në sektor të ndryshëm të Mitrovicës Veriore.