Media ka rol kyç në luftimin e korrupsionit

Evropa Jug-Lindore po ballafaqohet me korrupsion në sisteme të shumta, ndërsa media ka rol të rëndësishëm në të gjitha fushat, por në luftimin e korrupsionit vlerësohet të jetë jetësor.

Lajme

09/08/2015 20:30

Kështu u tha në debatin publik mbi rolin dhe ndikimin e medias në krijimin e perceptimeve mbi korrupsionin dhe luftimin e tij, në kuadër të edicionit të XIV të Festivalit të Filmit dhe Dokumentarit – DokuFest në Prizren, raporton lajmi.net.

Në Muzeun e Hamamit u mblodhën gazetarë nga Kosova e Serbia, analist mediash e shoqëri civile për të diskutuar për këtë temë, ku pas shfaqjes Pjesë nga dokumentari “Life is sacred” është shfaqur për të ushqyer këtë diskutim.

Debati i sotëm në DokuFest ka nxjerrë në pah edhe ekspertizën ndërkombëtare në ndihmë të mediumeve të pavarura nga shtrëngimi shtetëror.

Alessandra Roccasalvo, zëvendës përfaqësuese e UNDP-së ka thënë se qëllimi i kësaj organizate është puna në dy aspekte: në forcimin e vetë institucioneve shtetërore dhe puna me to, dhe në anën tjetër edhe fuqizimi i zërit qytetarë në bërjen e ligjeve.

Nërsa, Arbana Xharra, kryeredaktore në të përditshmen “Zëri” ka treguar për rastet kur ajo është kërcënuar edhe pse ka provuar me çdo forcë gazetareske të ndërhyjë në luftën e fortë me korrupsionin kosovar.

“Megjithatë, ajo që mua më motivon të merrem me gazetari është senzibilizimi, rritja e vetëdijes qytetare që të raportohet. Sot e di se ka njerëz që mund ta thonë me plot gojën të vërtetën mbi krimet e luftës, mbi korrupsionin në baza ditore, dhe mbi dukuritë tjera negative. Në një rast u pata shpallur edhe si islamofobja e vitit, por kjo ka pak rëndësi në luftën për të vërtetën”, tha Xharra.

E Petrit Saraçini, analist i mediave ka thënë se Evropa Jug- Lindore është duke u ballafaquar me sisteme të shumta të korruptuara.

“Ka një kulturë të mos dënimit që është duke ndodhur nëpër institucione. Mekanizmat ligjor keqpërdoren”, tha ai, raporton lajmi.net.

Në debat kanë folur edhe Agron Demi nga GAP, Marija Ristiç nga BIRN, Hajrullah Çeku nga “EC MA Ndryshe”.